Prokuroria në Hagë konfirmon ndalimin e Haradinajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar se të premten, më 25 shtator, ka arrestuar nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinajt, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.

Marketing

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se në bazë të ligjit për këtë zyrë dhe për Dhomat e Specializuara “gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”.

Nënkryetari i OLV të UÇK-së, Nasim Haradinaj u arrestua të premten, më 25 shtator, në lagjen Pejton të Prishtinës. Gjatë të premtes, në një prononcim për mediat ai tha e nuk e njeh Gjykatën Speciale (Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara).

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se në arrestimin e Haradinajt EULEX-i dhe Policia e Kosovës ofruan mbështetje operative dhe logjistike .

Arrestimi i Haradinajt, pason arrestimin e kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili të premten u transferua në Hagë.

Gucati, siç njoftuan Dhomat e Specializuara, u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”