Gjoka: Shkëndija po shkon aty ku duhet, po marrim frytet e punës

Ernest Gjoka, trajner i Shkëndijës së Tetovës, vlerëson kuqezinjtë për fitoren e arritur në fushën e Pelisterit, por gjithashtu kërkon më shumë kujdes në minutat e parë, për të mos pësuar gola të thjeshtë.

Marketing

“Për hir të së vërtetës, kjo nuk ishte një ndeshje e lehtë, kundërshtari u mundua të bënte gjithçka dhe na e bëri të vështirë. Ndërkohë që edhe ndeshja filloi me gol të shpejtë për vendasit. Po na bëhet si sëmundje që këto minutat e para ne duhet t’i rikuperojmë dhe duhet të jemi shumë më të kujdesshëm, shumë më të përqendruar. Por, gjithsesi, ekipi reagoi mirë dhe arritëm të merrnim atë që donim. Mendoj se këto janë ndeshje pozitive, skuadra po ngrihet dhe po jep maksimumin.”

Shkëndija shkoi në transfertën e Bitolas pas impenjimit në Europa League ndaj Tottenhamit. Sipas Gjokës, skuadra po merr frytet e punës së madhe dhe impenjimit maksimal në stërvitje.

“Nga Tottenhami te Pelisteri janë momente që duhen kaluar. Mendoj se grupi po jep maksimumin çdo ditë, po punon, po kthehet aty ku duhet dhe gradualisht po merr frytet e kësaj. Gjithçka është meritë e këtyre djemve. Mendoj se të tre golat ishin njëri më i bukur se tjetri, sepse edhe penaltia erdhi nga një aksion model. Të tre golat ishin ata që ne kërkojmë dhe vazhdojmë t’u themi futbollistëve”.