Tirana është eliminuar nga Liga e Europës në fazën play-off të turneut, pasi është mundur nga Jang Bojz në Bernë me rezultatin 3-0. Një ndeshje që fatkeqësisht nuk pa në fushë asgjë nga Tirana e kohëve të fundit, pasi bardheblutë u dominuan tërësisht nga ekipi vendas.
Vetëm në fillimin e sfidës ekipi kampion i Shqipërisë ishte pak thumbues me dy raste të Kale e më pas ishte një monolog i sulmuesve zviceranë para portës së Bekajt. Tirana u kthye në mbrojtje dhe rezistoi deri në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Fasnaht tundi rrjetën e Bekajt, i harruar i vetëm në qendër të zonës.
Me sa duket bardhbelutë nuk ishin përgatitur për një plan B, pasi skuadra pas atij goli u shpërbë plotësisht dhe në pjesën e dytë u dha mundësinë kundërshtarëve të shfaqeshin edhe më shumë para Bekajt, duke shënuar dy gola të tjerë. Sikur të mos mjaftonte kjo, Torasa la me 10 lojtarë ekipin e tij me një të kuq të evitueshëm, ndërsa Tirana kapitulloi pa kushte duke pritur vertëm vërshëllimën përfundimtare, e ndërgjegjshme se nuk është gati të luajë në nivele të tilla.