Komisioni Evropian vlerëson RMV-në pozitivisht në realizimin e reformave, megjithatë porosia është që të vazhdohet me përforcimin e perspektivës evropiane, tha eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji, në vizitën e tij në Shkup.
“Jemi të angazhuar ta përforcojmë zgjerimin, për shkak se kemi metodologji të re. Së dyti, arrijmë marrëveshje me vendet tjera anëtare për fillimin e negociatave me vendin tuaj. Dhe, së treti, shumë e rëndësishme është plani ekonomiko-investues. Mendoj se BE-ja është shumë e rëndësishme për RMV-në, por edhe për të gjithë rajonin. Duhet të shohim se po punohet në luftën kundër korrupsionit, sundimit të së drejtës dhe të gjitha ligjet, në gjyqësor, Prokurorinë Publike. Duhet të shohim rezultate që të mund ta prezantojmë përkushtimin tonë para vendeve tjera anëtare të BE-së.”,- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji.
Theksoi se KE po punon në krijimin e kushteve për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare, megjithatë, sipas tij, Shkupi dhe Sofja janë qendrat që duhet të arrijnë zgjidhje. Varheji tha se BE është e angazhuar të japë ndihmën diplomatike në këtë proces, por, sipas tij, çështja është e karakterit bilateral.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, nëse mundemi ne të ndihmojmë në proces. Të gjendet zgjidhje nuk është e pamundshme, nuk do ta dramatizoja çështjen, megjithatë është çështje serioze.”,- tha eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji.
Raport progresi është publikuar në kohë të përshtatur kur RMV pret kornizën negociuese, tha kryeministri Zaev. Sipas tij, dokumenti është shumë i qartë dhe sqaron dobësitë ku duhet punuar.
“Potencohet se RMV në numër të madh fushash ka arritur përputhshmëri të madhe të legjislacionit dhe rekomandohet të bëhen akoma rezultate, sidomos në fushën e vlerave fondamentale, zgjedhjet, sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit… Dokumenti në tërësi është kontribuues në krijimin e momentit të fuqishëm politik drejt hapit tjetër të agjendës evropiane të vendit tonë, kur pritet të fillohen bisedimet sipas metodologjisë së re dhe hyrjen në fazën tjetër të përfshirë në qëllimin strategjik, pra anëtarësimin në BE.”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Në suaza të planit investues evropian, BE ka ndarë nga buxheti i saj 9,5 miliard euro për projekte gjithëpërfshirëse për Ballkanin Perëndimor.