Muaremi jep detaje për arrestimet e sotme: Afaristë nga Tetova dhe Gostivari e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 1 milionë euro

Dhjetëra biznesmenë dhe kontabilistë janë arrestuar sot nga Policia Financiare, nën dyshimet se nga arkat e Komunës së Tetovës dhe Gostivarit, në mënyrë të organizuar kanë marrë mbi një milionë euro.

Marketing

Drejtori i Policisë Financiare Arafat Muaremi për A1on, tha se bëhet fjalë për grup serioz, i cili është ndjekur një kohë të gjatë, përcjell Telgrafi Maqedoni.

“Është shkatërruar një grup i madh i organizuar, të clët e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për më shumë se 1 milionë euro. Kanë kurdisur tendere dhe kanë marrë para nga komunat, duke i transferuar në kompani fiktive, kryesisht në kesh. Grupi është ndjek një kohë të gjatë. Në këtë grup nuk ka funksionarë, as të mëparshëm e as të tanishëm, por ka të punësuar në komuna, kontabilistë, të cilët kanë qenë logjistikë e biznesmenëve të njohur nga Tetova dhe Gostivari. Mafiash lokal të njohur nga ky rreth”, tha Muaremi.

Ai shtoi se aksioni në të cilën arrestohen afaristë dhe kontabilistë, akoma është duke zgjatur.

Policia Financiare njoftoi se në koordinim me Prokurorinë Publike të Shkupit do të dorëzojë aktakuza ndaj 20 personave fizik dhe 15 juridik, për fshehje të tatimit, keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 62.933.835 denarë.

Policia Financiare i ka publikuar edhe emrat e kompanive fiktive, tek të cilat janë lëshuar paratë nga komunat e Tetovës dhe Gostivarit.