“Zëri i Amerikës”: Numër rekord të prekurish nga COVID 19 në Shqipëri, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë

Në Shqipëri, gjatë 24 orëve të fundit u rregjistrua një shifër rekord e të prekurve nga Koronavirusi, me 182 raste të reja, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, harta e të infektuarve pas 1055 testimeve, shtrihet në të gjithë vendin, në 27 qytete të ndryshme: 61 raste në Tiranë, 19 në Shkodër, 12 në Korçë, 9 në Lushnje, nga 7 raste në Fier dhe Berat, nga 6 raste në Durrës, Elbasan dhe Pogradec, nga 5 raste në Lezhë, Mallakastër, Gjirokastër dhe Prrenjas, nga 4 raste në Tropojë dhe Kuçovë, nga 3 raste në Sarandë dhe Dibër, nga 2 raste në Kukës, Kavajë, Vlorë, Rrogozhinë dhe Librazhd, si dhe nga 1 rast në Krujë, Fushë-Arrëz, Roskovec, Bulqizë e Skrapar.

Marketing

Në 24 orët e fundit u shënua dhe një shifër e lartë viktimash. “Me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID19, një 64 vjeçar nga Elbasani, një 66 vjeçare nga Kurbini, një 73 vjeçare nga Korça, një 81 vjeçar nga Shijaku dhe një 75 vjeçar nga Tirana”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Në kuotat e larta të ditëve të fundit mbetet edhe numri i të shtruarve në të dy spitalet që trajtojnë të sëmurët me shenja klinike. “Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 244 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar”, njoftuan autoritetet./VOA