Fondacioni për Shoqëri të Hapur (KFOS) i dhuroi Kosovës 100,000 teste për koronavirus, të njohura si PCR.
Kostoja e tyre është 1.5 milion euro, tha në një postim në Facebook ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj.
“Donacioni është kontribut i çmueshëm në rritjen e fuqisë testuese për diagnostikimin e infeksionit COVID-19 në Kosovë, për çka e falënderoj zotin Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS), si dhe kryeministrin [e Kosovës] Avdullah Hoti për angazhimin e pakursyer për dhe rreth këtij donacioni, duke e iniciuar dhe realizuar atë”, tha Zemaj.
Xhevat Jakupi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se me pranimin e donacionit prej 100,000 testesh PCR, Kosova do t’i ketë në dispozicion 130,000 teste për qytetarët.
“Jemi duke punuar me Bankën Botërore, që të hapim laboratore PCR në qendrat rajonale të shëndetit publik. Tashmë është nënshkruar kontrata me furnizues nga Banka Botërore, në vlerë prej 2 milionë dollarësh”, tha Jakupi.
“Pritet që brenda një muaji, këto aparate të jenë në Kosovë. Kemi filluar me trajnimin e personelit të qendrave rajonale të shëndetit publik, për kryerjen e testeve PCR. Aktualisht, i kemi 130,000 teste në dispozicion. Po ashtu është një procedurë brenda Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen emergjente edhe të 60,000 testeve PCR dhe është në shqyrtim”, shtoi Jakupi.
Kosova i ka regjistruar rastet e para me koronavirus në muajin mars.
Prej atëherë, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, janë testuar gjithsej 76,623 persona për koronavirus.
Aktualisht, numri i rasteve pozitive qëndron në 16,425, i viktimave në 650 dhe i të shëruarve në 14,460.