Bisedimet në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian për marrëveshje tregtare pas Brexitit, kanë “përfunduar”, ka thënë Qeveria britanike.
Sipas saj, bisedimet “nuk ka kuptim” që të vazhdohen përveç nëse BE-ja përgatitet që të diskutojë tekstin ligjor të detajuar të partneritetit.
Më herët gjatë ditës, kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar duhet të bëhet gati që të kryejë tregti me bllokun evropian vitin tjetër, pa marrëveshje.
“Tani është koha që bizneset të bëhen gati, transportuesit të bëhen gati dhe udhëtarët të bëhen gati”, ka thënë Johnson.
BE-ja, në anën tjetër, ka thënë se ka gatishmëri që të “intensifikojë” diskutimet mirëpo nuk do të arrijë marrëveshje “me çfarëdo çmimi”.
Britania e Madhe ka përmendur të enjten si afatin e fundit kur do të vendosë nëse ia vlen të vazhdohen diskutimet teksa ekzistojnë mospajtime në disa fusha kyçe.
Ato janë duke synuar arritjen e marrëveshjes për vazhdim të lidhjeve ekonomike, kur të përfundojë periudha tranzitore e Brexitit në muajin dhjetor.
Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.