Kryeministri Avdullah Hoti shkarkon nga detyra drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në raportin e performancës për drejtorin e Policisë së Kosovës, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti ka liruar nga detyra z. Rashit Qalaj, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, thotë njoftimi i ZKM’së.
Në vend të tij, është emëruar përkohësisht Samedin Mehmeti.
Sipas mediave në Prishtinë, motivacioni i shkarkimit ka qenë “performanca e dobët”.
Rashit Qalaj është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës në gusht të vitit 2018 nga kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj.