Pas përmbylljes së aktiviteteve të përfaqësueses në kuadër të Ligës së Kombeve, nga kjo fundjavë rikthehen edhe ndeshjet në kuadër të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, me ndeshjet e javës së nëntë.
Skuadra e FC Shkupi ka mbyllur seancën e fundit përgatitore dhe tani më bëhen analizat e fundit për duelin e nesërm, kur do të jemi mysafirë në stadiumin “Mlladost” në Strumicë, ndërsa përballë do të kemi ekipin e Akademija Pandevit.
Pa dyshim se edhe në këtë ndeshje ekipi synon paraqitje të mirë dhe të arkëtojë pikë për të mbetur në mesin e ekipeve pretenduese për pozitë të lartë.
Pikërisht për këtë ndeshje ka folur mesfushori nga Kosta Rika, Freddy Alvarez, i cili është shprehur optimist për duelin e radhës.
“Kemi pasur kohë të mjaftueshme për të punuar, ekipi vazhdon të jetë në formë të mirë. Padyshim se nuk ka ndeshje të lehtë dhe sidomos kur luan në terren mysafir. Por ne në të gjitha ndeshjet kemi shkuar për të marrë tri pikë, andaj edhe në këtë duel ndaj Akademija Pandevit kërkojmë pikë maksimale dhe të vazhdojmë luftën për vendin e parë në tabelë”.
Në duelin ndaj Akademija Pandevit trajneri Umit Karan nuk mundë të llogaritë në Filip Gligorovin e lënduar, ndërsa ka përfunduar gjysmë sezoni për futbollistin Elvin Yunuszada, i cili ka lëndim (plasje të kockës) në këmbë, gjë që ka ndodhur në një seancë stërvitore dhe rehabilitimi i tij do të zgjasë më shumë.
Ndeshja Akademija Pandevi – Shkupi luhet të dielën në stadiumin “Mlladost”, me fillim në orën 14:30.