Osmani-Plenkoviq: Vazhdon mbështetja e Kroacisë për procesin eurointegrues

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, vizitën e tij të punës në Kroaci e filloi duke u takuar me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Marketing

Osmani e falënderoi Plenkoviqin për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë dhe angazhimin e jashtëzakonshëm gjatë presidencës së saj me Këshillin e Bashkimit Evropian, nën dirigjencën e së cilës Këshilli i BE-së arriti konsensus dhe vendosi të fillojë negociatat aderuese me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë.

“Ne Kroacinë mike e kemi një partner të sinqertë, mbështetës tradicional të aspiratave tona për integrim në familjen evropiane. Veçanërisht e vlerësojmë faktin që Kroacia gjatë gjithë periudhës së kaluar besonte fort në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një lidhje e rëndësishme në krijimin dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon”, tha Osmani.

Kryeministri Plenkoviq tha se Kroacia do të vazhdojë me mbështetjen e saj të fortë dhe të vendosur për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, zëshëm do të angazhohet në procesin e harmonizimit të kornizës negociuese dhe fillimin zyrtar të negociatave aderuese me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të këtij viti.

Gjatë ditës, ministri Osmani do të takohet me homologun e tij kroat, Goran Gërlic Radman, dhe gjatë vizitës, ai do të qëndrojë edhe në Parlamentin kroat, ku do të takohet me kryetarin e Këshillit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Gari Capelli, kryetarin e Këshillit për Çështje Evropiane, Domagoj Hajdukoviç dhe deputeten Ermina Lekaj Përljaskaj, e cila përfaqëson pakicat kombëtare të maqedonasve, shqiptarëve, malazezëve, boshnjakëve dhe sllovenëve.

Në margjinat e vizitës së tij në Kroaci, ministri Osmani pritet të jep intervistë për të përjavshmen prestigjioze kroate “Nacional”.