Komisioni i Financave i dha dritë jeshile debatit rreth falimentimit të Bankës “Eurostandard”

Në Kuvend do të mbahet debat mbikëqyrës në të cilën do të diskutohet rreth falimentimit të Bankës “Eurostandard”. Deputetët e opozitës propozuan mbajtjen e një debati të tillë me qëllim të zbardhjes së rastit, kurse propozimi u mbështet njëzëri.

Marketing

“Nga debati mbikëqyrës presim të dalin konkluzione të dobishme, të cilat do të jenë në interes të qytetarëve, të sektorit bankar si dhe të pengohen këso lloj ndodhish në të ardhmen.”,- theksoi Zorançe Jovançev nga VMRO-DPMNE.

“Në funksion të pastrimit të rastit, shpresoj që të kontribuojmë në drejtim të konkluzionit të rastit dhe shpresoj që në bazë të atij konkludimi të veprojnë organet kompetente në interes të qytetarëve dhe kompanive.”,- tha Panço Minov nga GROM.

“Ne e dimë që falimentimi i bankës, faktikisht u shpall menjëherë pas zgjedhjeve. Është një moment që na detyron të rezonojmë pak më thellë dhe është një moment që na detyron të nxisim debat në këtë komision, por natyrisht edhe në seancën plenare për arsyet reale, arsyet e vërteta të falimentimit të kësaj banke.”,- u shpreh Elmi Aziri nga ASh-AA.

“Mendoj që ky debat mund të na shpie në rrugë të drejtë në drejtim të ndryshimeve të ardhshme ligjore, jo vetëm të leg-specialis për dëmshpërblim por edhe në ndryshim të ligjit për bankat dhe ndryshim të ligjit për fonde dhe prandaj apeloj që të mbahet sa është e mundur më shpejtë.”,- deklaroi Dimitar Apasiev nga “E Majta”.

Falimentimin e Bankës “Eurostandard” e njoftoi Banka Popullore më 12 gusht të këtij viti. Deri më 31 korrik të këtij vitit, raportohet se shuma e përgjithshme e depozitave të individëve që kursenin në “Eurostandard Bank” arrin deri në 4.4 miliardë denarë ose 71.5 milion euro.