Me rebalancin e buxhetit, Qeveria do të ndajë 54 milionë denarë shpërblim për të gjithë punonjësit shëndetësorë, të cilët janë kyçur në trajtimin e pacientëve me COVID-19, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Mjetet do të dedikohen për të punësuarit në qendrat Covid në Shkup dhe në spitalet në qytetet e tjera në vend.
“Këto 54 milionë denarë, janë një pjesë e gjithsej 243 milionë denarëve që Qeveria i ka ndarë për shëndetësinë. Mjetet e tjera do të dedikohen për blerje të ilaçit Remdesivir, për blerje të vaksinave, testeve për COVID-19 dhe për nevojat e institucioneve shëndetësore publik”, thonë nga Ministria e Resorit.
Propozimi për rebalanc të buxhetit është në procedurë kuvendore dhe pritet të votohet gjatë ditëve të ardhshme. Pas miratimit, pritet të fillojë realizimi i masës së katërt ekonomike anti-krizë, për të ndihmuar qytetarët, kompanitë dhe ekonominë e vendit.