Filantropi shqiptar Lazim Destani në zyrat e kompanisë ECOLOG në Dyzeldorf ka takuar deputetin e Bundestagut Peter Beyer. Të dy bashkëbiseduesit kanë këmbyer mendime mbi tema të ndryshme që lidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe me diasporën shqiptare në Gjermani.
z.Destani deputetit gjerman z.Beyer nuk ka mbetur pa ia përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, për të cilën gjë Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) para tre muajsh i dërgoi shkresë zyrtare Kancelares Angela Merkel.
Ky është shkrimi i plotë i z.Lazim Destani në faqen e tij zyrtare në facebook:
E pata për nder pritjen që i bëra mikut tonë z. Peter Beyer, Deputet i Bundestagut Gjerman. Në këtë takim, të mbajtur në zyrat e kompanisë ECOLOG në Dyzeldorf, së bashku me z. Beyer diskutuam e shkëmbyem mendime mbi tema të ndryshme që lidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe me diasporën tonë në Gjermani.
Deputetin Beyer, që është dhe Anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, e njoftova në përgjithësi mbi aktivitetet e Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare dhe në veçanti, me aktivitetet që lidhen me komunitetin shqiptar në Gjermani. Në këtë kontekst, biseduam edhe mbi çështjen e Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, për të cilën gjë KKD para tre muajsh i dërgoi shkresë zyrtare Kancelares Merkel, dhe kësaj teme z. Beyer i kushtoi vëmendje të veçantë.
Situata aktuale dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia ishin gjithashtu pjesë e bisedave mes nesh. Ishte konstatimi ynë i përbashkët se vështirësitë dhe pasojat që ka shkaktuar pandemia në mënyrë të veçantë po i ndien ekonomia e brishtë e Ballkanit Perëndimor dhe se këto vende kanë shumë nevojë për mbështetje.
Duke qenë z. Beyer Anëtar i Delegacionit Gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, diskutuam edhe mbi gjetjen e rrugëve më të mira për thithjen e fondeve që BE ka planifikuar për rajonin tonë. Ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor ka nevojë për rimëkëmbje dhe zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa një ekonomi e zhvilluar do të ishte bazë e mirë për zgjidhjen e shumë çështjeve të tjera që e preokupojnë popullatën e këtij rajoni. Vendet tona në të kaluarën janë lënë disi pas dore ndërsa ne shqiptarët tani presim më shumë, presim veprim më dinjitoz dhe përkrahje nga Bashkimi Evropian.
Takimin e mbyllëm duke e falënderuar z. Beyer për vizitën dhe në veçanti, duke e çmuar lart angazhimin e tij e të Gjermanisë në përgjithësi për mbështetjen që po i japin Ballkanit Perëndimor për rimëkëmbjen ekonomike si dhe për integrimin e rajonit në strukturat euro-atlantike.
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=4168994076469324&id=205624756139629