Përfundon procesi i kërkim-shpëtimit nga tërmeti në Turqi

Punëtorët turq të shpëtimit u kanë dhënë fund përpjekjeve të tyre për të gjetur të mbijetuar nga tërmeti që goditi vendin më 30 tetor.

Marketing

Tërmeti ka lënë të vrarë të paktën 114 njerëz.

Ekipet kanë hequr pothuajse të gjitha mbeturinat, me ndihmën e rreth 8,000 punëtorëve, tha ministri i Mjedisit dhe Urbanistikës Murat Kurum.

Sipas tij 107 njerëz u shpëtuan, katër prej të cilëve janë ende në gjendje kritike.

Ministri tha se puna për rindërtimin e shtëpive do të fillojë së shpejti dhe se sipas planeve, apartamentet e reja duhet të përfundojnë brenda një viti, raporton DPA.

Ai tha se po punohej për të siguruar strehim të përkohshëm në rreth 1000 kontejnerë.

Të paktën 6,600 njerëz janë aktualisht të vendosur në çadra në qytetin e tretë më të madh të Turqisë, Izmir, ku deri në 180 ndërtesa ose u dëmtuan ose u shembën plotësisht, tha Kurum.

Tërmeti, epiqendra e të cilit ishte në Egje, goditi fuqishëm Turqinë dhe Greqinë.

Turqia gjendet në një zonë të disa linjave kryesore sizmike dhe ka pësuar tërmete shkatërruese edhe në të kaluarën.