Nga fillimi i javës së ardhshme do të publikohen të gjitha thirrjet publike nga Pakoja e katërt anktikrizë e masave ekonomike të cilat janë në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë, kështu deklaroi gjatë ditës së sotme ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
” Thirrjet publike tashmë janë gati. Të premten do të kemi edhe një seancë tjetër qeveritare ku do të miratojmë programet. Nga e hëna ose e marta do të publikohen të gjitha masat e zbatuara nga Ministria e Ekonomisë, të tilla si kthimi i taksës turistike, grantet për agjencitë e udhëtimit, udhëzuesit turistik, këndet e lojërave”, theksoi Bekteshi.
Deri në fund të kësaj jave, do të publikohet thirrja publike për furnizim me mjete dhe lëndë të para për zejtarët në vlerë totale prej 20 milion denarë.
“Si asnjëherë më parë gjatë kësaj jave ne do të shpallim thirrje publike prej 20 milion denarësh me qëllim që t’u mundësojmë zejtarëve të qëndrojnë dhe të punojnë në mënyrë stabile. Gjithashtu jemi duke përgatitur një strategji për zhvillimin e zejtarisë,ceku Bekteshi.
Bekteshi gjithashtu njoftoi se si mbështetje për zejtarinë, nga fillimi i vitit të ardhshëm, është planifikuar të ulet TVSH-ja nga 18 në 5 përqind.
Sa i përket objekteve hotelierike dhe gastronomisë të cilat vazhdimisht pësojnë humbje për shkak të pandemisë dhe kufizimeve të orarit të punës, Bekteshi deklaroi se ky sektor nuk është harruar dhe se nuk do të harrohet, por që është mbështetur nga masa të ndryshme që nga fillimi i krizës.
Ministri Bekteshi nënvizoi se nëse masat e tilla kufizuese do të vazhdojnë edhe më tej, do të bëhet analizë e humbjeve dhe përderisa ka dëme, do të krijohet Pako e re masash.