Ish-komandanti Suprem i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur sot në seancën e parë gjyqësore në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Pas leximit të aktakuzës, ish-udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi ka deklaruar se ka dëgjuar dhe lexuar aktakuzat dhe se i hedh poshtë të gjitha, transmeton lajmi.net.
“I kam dëgjuar e lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”,tha shkurt Thaçi.
Nga ana tjetër, avokati i ish-komandantit të UÇK-së, Hashim Thaçi, David Hooper, qysh në fjalën e parë të tij, ka adresuar kritika në drejtim të Gjykatës Speciale, raporton lajmi.net.
Ai ka thënë se për shkak të moskryerjes së detyrave si duhet nga Specialja, sot s’kanë mundur të paraqiten me ekipin e plotë të avokatëve, raporton lajmi.net.
“Është me keqardhje që them se ky proces është realizuar pa e njoftuar mbrojtjen në kohën e duhur. Unë ju premtoj se do të bashkëpunojë me gjykatën ashtu siç bëri Thaçi gjatë gjithë këtyre viteve. Ne për herë të parë për këto çështje të mërkurën në mbrëmje apo të enjten, pra me fjalë të tjera nuk ishte e mundur që të themelohet një ekip mbrojtës dhe njerëz që do të dëshironin të ishin të pranishëm. Është e pakuptimtë dhe e kemi të vështirë ta kuptojmë se pse është bërë kjo”, tha ai.
Kjo është paraqitja e parë, që prej konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, e bërë publike javën e parë të nëntorit 2020.
Hashim Thaçi, që ishte një prej figurave kryesore të UÇK-së, udhëtoi për në Hagë më 5 nëntor 2020, kur edhe u publikua aktakuza ndaj tij, për krime të pretenduara të luftës.
Një ditë pasi udhëtoi për në Hagë, hetuesit e Speciales në bashkëpunim me zyrtarë të EULEX-it bastisën shtëpinë e tij në Prishtinë.
Thaçi, deri një javë më parë mbante postin e presidentit të Kosovës nga i cili dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.
Thaçi paraqitet për herë të parë para Dhomave të Specializuara për t’u ballafaquar me akuzat e prokurorisë për krime të pretenduara të luftës.