Gara për vaksinën, vendet në zhvillim në disavantazh

Një vaksinë për koronavirusin ka rezultuar 90% efikase pas testimeve fillestare, njoftuan dy kompanitë që po e prodhojnë atë – Pfizer dhe BioNTech. Kjo ka rritur shpresën se pandemia globale e koronavirusit mund të vendoset nën kontroll në muajt e ardhshëm. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, natyra e vaksinës do të thotë se sisteme më pak të zhvilluara shëndetësore do të përballen me sfida madhore për të realizuar programin e tyre të vaksinimit.

Marketing

Testimi i vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech është në fazën e hershme. Por, shkencëtarët thonë se rezultatet e deritanishme nga 44 mijë vullnetarë tregojnë se virusi mund të mposhtet. Vaksina bazohet tek teknologjia e re “mRNA”, e cila ende nuk është aprovuar nga agjensitë rregullatore. Edhe nëse kryhet me shpejtësi, ekzistojnë sfida të mëtejshme.

“Ka sfida të mëdha në prodhim; ka sfida logjistike. Kjo vaksinë duhet të ruhet në temperaturën -62 gradë Celcius”, thotë Dr. Peter Drobac, i Universitetit të Oksfordit.

Kjo është më e realizueshme në vendet më të pasura. Por, në vendet më të varfëra, zbatimi i një programi vaksinimi nuk do të jetë i lehtë.

Në klinikat në Burkina Faso, frigoriferi prishet rregullisht dhe stafi detyrohet të hedhë ilaçet. Kombet e Bashkuara thonë se sistemet shëndetësore të dy të tretave të popullsisë së botës nuk kanë frigoriferimin e duhur.

“Pra, nëse sot do të duhej të vaksinonim kundër koronavirusit, për shembull, do të na duheshin shumë më tepër frigoriferë për të mbajtur vaksinat. Nuk i kemi këta frigoriferë”, thotë Jean-Clause Mubalama, nga UNICEF-i.

Pastaj është problemi i energjisë.

“Klima e nxehtë do të thotë që pajisjet ftohëse janë më të rëndësishme dhe duhet të punojnë më shumë. Ka mungesa të energjisë elektrike – janë ekonomi në zhvillim. Pra, nëse shikoni në një numër të këtyre tregjeve, mund të gjeni zona ku ndoshta 30, 40% e qendrave shëndetësore nuk kanë qasje në energji elektrike”, thotë Toby Peters, Profesor i Ekonomisë së Ftohjes, në Universitetin e Birminghamit.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët shpenzoi 85 milionë dollarë në vitin 2019 për pajisje ftohëse, kryesisht frigoriferë me energji diellore në Afrikë dhe Azi.

Po mbledh gjithashtu rezerva shiringash dhe po krijon zinxhirin e ruajtjes frigoriferike dhe transportit për t’i paraprirë aprovimit të vaksinës.

Por në shumë vende, shkencëtarët thonë se infrastruktura shëndetësore thjesht nuk ekziston për të filluar një program të shpejtë të vaksinimit ndaj koronavirusit.

Një sfidë e shtuar është transportimi i njerëzve për tek klinikat ose zhvillimi i vizitave mjekësore në komunitet – dhe bindja e tyre se vaksina është e sigurt. Vaksina e kompanive Pfizer-BioNTech kërkon dy doza për person.

Pastaj ekziston rreziku i “nacionalizmit të vaksinave” – shqetësimi se vendet e pasura mund të blejnë të gjitha vaksinat për popullatat e tyre. Mbi 150 vende janë regjistruar në një strukturë globale të quajtur ‘COVAX’ në përpjekje për të siguruar shpërndarje të drejtë.

“Objektivi është të ndihmohet në prodhimin e dy miliardë dozave të ndryshme të vaksinave kundër COVID-it që mund të shpërndahen në të gjitha këto vende të botës deri në fund të vitit 2021”, thotë Dr. Drobac.

Shkencëtarët thonë se vaksina të tjera për koronavirusin, të cilat aktualisht po testohen, mund të rezultojnë gjithashtu efektive – duke rritur shpresat për programe vaksinimi masiv.

Por ata paralajmërojnë se derisa të fillojnë programe të tilla, është me rëndësi që qeveritë dhe individët të vazhdojnë të përpiqen të përmbajnë përhapjen e virusit, ndërsa shkalla e infeksionit vazhdon të rritet./