Në ITShKSh-Shkup filluan “Ditët e Alfabetit”

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve në Shkup (ITShKSh), filloi edicioni i dytë i manifestimit kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit”, me rastin e 112-vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Marketing

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se këtë edicion të Ditëve të Alfabetit po e mbajmë në kushte paksa të jashtëzakonshme, për shkak të krizës shëndetësore që po mbretëron, por kjo nuk na ka zmbrapsur nga synimi që edhe sivjet të organizohemi për të sjellë në vëmendje një program të ngjeshur, i cili sivjet do të jetë në shenjë të iluministeve shqiptare në disa breza. “Konsiderojmë se edicioni i sivjetmë i Ditëve të Alfabetit vjen me disa risi, kurse risia kryesore ka të bëjë me Homazhin tek varri i Gjerasim Qiriazit, në Strumicë, një ngjarje kjo e shumëpritur dhe e planifikuar të bëhet publike pikërisht sot kur po startojmë me Ditët e Alfabetit, manifestim ky tash më tradicional i mbështetur edhe institucionalisht”, tha Asani.

Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, përgëzoi Institutin për këtë organizim serioz dhe ambicioz, në nderim të njërës nga ngjarjet më madhore të historisë sonë kombëtare – Kongresi i Manastirit. Ai tha se 22 Nëntori i është shtuar datave me rëndësi të madhe komëtare të historisë shqiptare, bashkë me 28 Nëntorin e Kuvendit të Vlorës dhe 10 Qershorin e Lidhjes së Prizrenit.

Me këtë rast u bë edhe promovimi i botimit të veçantë periodik “Ditët e Alfabetit –I–“, ku pasqyrohen të gjitha aktivitetet e edicionit të parë të këtij manifestimi nga viti i kaluar. Kryeredaktori Sevdail Demiri, tha se brenda kopertinave të këtij botimi, gjenden materialet e shkruara nga të gjitha aktivitetet e zhvilluara gjatë nëntorit të vitit 2019, në shenjë nderimi të ish-presidentit amerikan Uilson. Aty bëjnë pjesë fjalime e vështrime shkencore në promovime librash nga autorë të shquar të kulturës e shkencës albanologjike.
Hapjen e manifestimit, me pjesëmarrjen e tij e nderoi edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj.
Ndryshe, “Ditët e Alfabetit” që do të zgjasin deri më 22 Nëntor 2020, do të jenë në shenjë nderimi e respekti të personaliteteve të shquara iluministe, që lanë gjurmë të thella në trashëgiminë tonë të pasur kulturore-historike që nga Kongresi i Manastirit e deri në ditët e sotme, si: Parashqevi Qiriazi, Shën Tereza, Nexhmije Pagarusha e Hanife Sejfulla Reçani, Olivera Jashar Nasteva, Exhlale Dobruna-Salihu dhe Floresha Dado.
Për shkak të gjendjes aktuale me pandeminë, të gjitha aktivitetet do të zhvillohen duke respektuar protokollet e Ministrisë̈ së Shëndetësisë̈ dhe kryesisht pa praninë̈ e publikut të gjerë!