Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nëpërmjet një konference për media lëshoi një deklaratë provokuese në formë kërcënimi me luftë për Kosovën. Ky deklarim i Vuçiqit ku situata mes Kosovës dhe Serbisë u krahasua me konsekuencat e konfliktit të ngrirë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit që përfundoi me luftime në Nagarko-Karabakh ka ngjallur reagime në Kosovë por edhe ka ngritur shumë pikëpyetje.
Sa është e gatshme Kosova të përballet me një sulm të mundshëm ushtarak nga Serbia edhe pas transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri?
Eksperti i çështjeve të sigurisë dhe ushtrisë, Ramadan Qehaja në një intervistë të shkurtër përmes telefonit në lajmi.net është shprehur se kërcënimet e Serbisë me luftë duhet të merren seriozisht parë nga këndvështrimi historik që nga Lufta e Parë Ballkanike e tutje.
Qehaja për lajmi.net është shprehur se furnizimi i Serbisë me armatim nga Kina dhe Rusia nuk është bërë për qëllime vetmbrojtjeje por pikërisht për të kërcënuar rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për të shkaktuar ndonjë destabilizim eventual në rajon, shkruan lajmi.net.
Gjithashtu, Qehaja ka vërejtur se Serbia në pamundësi të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive po synon që ta marrë me forcë veriun e Kosovës, pra ushtarakisht.
Ai më tutje, në pyetjen se a është Kosova e gatshme t’iu përgjigjet sulmeve eventuale, Qehaja shprehet se Kosova duhet të mendojë seriozisht për këtë çështje dhe të pajiset me armatim luftarak mbrojtës pavarësisht krizës ekonomike dhe buxhetit.
Qehaja gjithashtu është shprehur se pavarësisht faktit të prezencës së KFOR-it si mision i NATO-s në Kosovë, shteti duhet t’i krijojë mekanizmat ushtarake mbrojtëse në mënyrë që t’i mobilizojë ushtarët për raste të sulmit.
Sipas tij, ushtarët e KFOR-it, NATO-s dhe asnjë ushtar gjetiu nuk e ka moralin e ushtarit të Kosovës kur vie puna për mbrojtjen e Kosovës, prandaj është e domosdoshme të bëhet strategji efektive mbrojtëse.
Lexoni më poshtë intervistën:
Lajmi.net: Si i komentoni deklaratat e presidentit të Serbisë ku kërcënoi haptazi Kosovën me luftë?
Ramadan Qehaja: Që nga Lufta e Parë Ballkanike e këndej, Serbia zyrtare vazhdimisht ka qenë gjithnjë destabilizuese në Ballkan, këto janë çështje të historisë dhe në bazë të veprimeve të fundit të para 21 viteve, në atë se çfarë bëri Serbia në Kosovë, tmerrin që e shkaktoi, gjenocidin në përgjithësi unë kujtoj që deklaratat e Vuçiqit duhet të merren shumë seriozisht, jo se ai do të niset menjëherë me forca, por ai fillon me një luftë speciale dhe bën presion që bisedimet të vazhdojnë sepse përndryshe nëse nuk i arrinë qëllimet e veta, atëherë bën presion për kërcënime me luftë.
Lajmi.net: A ekziston rrezik real nga Serbia? Pra, a duhet Kosova t’i marrë me seriozitet këto deklarata?
Ramadan Qehaja: Unë si profesionist, ushtarak profesionist dhe duke e njohur doktrinën luftarake të tyre dhe bazuar në faktin që Kosova ende është pjesë përbërëse në kuadër të Kushtetutës së Serbisë atëherë një rrezikshmëri ekziston, prandaj deklarata e tij mbështetet në atë që ai në kohën e fundit, 4-5 vite me radhë është duke blerë armatim nga Rusia, Kina, armatim të rëndë, raketa tokë-ajr dhe të tjera. Gjithë ky grumbullim i armatimit dhe shpërndarja nëpër komanda nuk shkon për nevoja të vetmbrojtjes së Serbisë sepse ajo nuk është e rrezikuar, por shkon për nevoja të destabilizimit të rajonit të Ballkanit. Prandaj ne duhet t’i qasemi kështu, këtyre çështjeve.
Lajmi.net: A është Kosova në gjendje t’iu përgjigjet sulmeve eventuale nga Serbia?
Ramadan Qehaja: Se a do të jemi ne në gjendje t’i përgjigjemi këtyre forcave që po tentojnë ta shkëpusin një pjesë të territorit të Kosovës dhe fjala këtu është për pjesën përtej lumit Ibër që është e banuar kryesisht me serb dhe aty e ka qëllimin e vet sepse po e kërkon Asociacionin e komunave serbe dhe për ta marrë në këtë mënyrë nuk mund të bëhet sepse Kosova s’do të lejojë të formohet ky asociacion sepse do të ishte ‘Dodik Republikë’ në Kosovë, atëherë ai i qaset qasjeve të kërcënimeve luftarake dhe për shkak të kësaj, duhet të bëjmë pyetje, ku jemi? Unë mendoj se duhet të shqyrtojmë qasjen tonë vetmbrojëse, ku jemi, cilat dobësi i kemi, çfarë mund të bëjmë? Pavarësisht se jemi në krizë ekonomike dhe buxheti është i limituar, ne duhet diçka të bëjmë, në aspektin e lëvizshmërisë të forcave tona të FSK-së dhe Policisë, jo vetëm me automjete, por në përgjithësi të bartjes së forcave, ne nuk kemi asnjë helikopter në Forcat e Armatosura të Kosovës e as në polici, ne duhet t’i shtrojmë pyetjet se çfarë nëse Serbia dëshiron t’i fusë forcat në Kosovë, ne duhet t’i përgjigjemi me forca adekuate, kemi shumë punë për të bërë.
Lajmi.net: Pas deklaratave të Vuçiqit, Kosova kërkoi menjëherë reagimin e NATO-s, a po mbetet aleanca siguria jonë e vetme dhe si duhet të veprojë Kosova?
Ramadan Qehaja: Edhe pse ne jemi të sigurt dhe e kemi KFOR-in si mision i NATO-s unë nuk e parapëlqej këtë. Jam i mendimit se ne ushtarët tonë duhet t’i përgatisim për vetmbrojtje sepse nuk ka me moral të ushtarit tonë i cili ka lindur dhe do të vdesë këtu, nuk ka gjetiu, pra as në NATO nuk mund të kemi ushtarin e NATO-s që do të luftojë si ushtari ynë vendor, prandaj përgatitjet tona mbështeten në forcat tona vetanake. KFOR-i do të jetë dhe ka qenë deri më tani për sigurinë e tërësishme, por në konsekuencën e fundit ne jemi ata që duhet t’i bëjmë përgatitjet tona.