Edhe dy ditë për afrimin e qëndrimeve me Bullgarinë

Deri në mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të miniastrave të BE-së të martën, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të bisedojnë për shmangien e vetos për fillimin tonë për negociatat me BE-në dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Tani për tanio ende nuk mund të parashikohet se cili do të jetë vendimi i Këshillit të martën.

Marketing

“Ende janë para nesh edhe tri ditë, do të punojmë deri në momentin e fundit për të argumentuar se procesi i integrimeve evropiane nuk është proces i cili është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për Bullgarinë dhe për të gjitha vendet e Unionit, para së gjithash edhe për kredibilitein e Unionit, por edhe për dinamikën rajonale”, deklaroi ministri Osmani.

Ai nuk zbuloi cilat iniciativa bëhen ose do të bëhen në tre ditët në vijim, që të afrohen qëndrimet me Bullgarinë dhe të gjindet zgjidhje, por theksoi se mbetet qëndrimi se nuk do të heqim dorë nga ky proces deri në momentin e fundit. Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, është arritur avancim në shumë çështje, madje, siç theksoi, 7-8 që ishin senzitivë për njërën ose palën tjetër.

Për momentin, theksoi, nuk kemi iniciativë konkrete, megjithatë MPJ-ja e ka përgatitur platformën për komunikim në këtë periudhë dhe i krijon kanalet. Osmani nënvizoi se megjithatë vendimet i sjell kreu shtetëror, Qeveria së bashku me aktorët tjerë.

Sipas shefit të diplomacisë, ka hapësirë që të sqarohen çështjet siç është se emri i shkurtër nuk paraqet referencë ndaj rajonit historik Maqedoni, por ndaj shtetit Maqedonia e Veriut dhe nuk është kontestuese se emri i shkurtër dhe i gjatë i shtetit, tha, referohen në këto kufij shtetërorë të Maqedonisë së Veriut. Çështja për rehabilitimin e viktimave nga komunizmi, çështja për mospërzierje në punët e brendshme të fqinjëve, të bashkëpunimit ekonomik, krijimin e planeve të veprimit për lidhje infrastrukturore mes shteteve, janë çështje për të cilat ka hapësirë që të bisedohet. Për këto çështje deri më tani nuk ka pasur bisedime, tha, por të lëmë këto tri ditë të shohim nëse do të gjindet gjuhë e përbashkët.

“Mendoj se me këtë mënyrë arrihen pozita të përbashkëta, por nuk mund të parashihet nëse kjo do të jetë e mjaftueshme që të vazhdohet procesi evropian edhe më tej. Kjo megjithatë nuk varet nga ne, ne kemi bërë dhe bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë. Kemi raport të shkëlqyer të KE-së, jemi të vlerësuar si kandidatë më të mirë në rajon”, deklaroi Osmani.

Vlerësoi se askush nuk mund të presë se në tre ditë do të tejkalohen dallimet që zgjasin me dekada mes dy shteteve, por, sqaroi, që kthimi i besimit në proces i filluar në vitin 2017 jep rezultat.

Osmani tha se nuk mund të parashihet si do të jenë vlerësimet e Këshillit për punë të përgjithshme ditën e martë.

“Pasi nuk ka marrëveshje për momentin, nuk mund të parashikoj nëse do të ketë një marrëveshje deri të martën kur do të organizohet konferenca”, tha Osmani.

Nuk deshi të komentojë mbi pozicionet bullgare dhe theksoi se pozicionet tona janë të qarta, dhe qëllimi është miqësia, fqinjësia e mirë, respektimi i ndërsjellë, zbatimi i dispozitave dhe instrumenteve të marrëveshjes, një garanci se kjo marrëveshje është mekanizmi i vetëm për tejkalimin e dallimeve.

Lidhur me komisionet, ai kujtoi se është caktuar një axhendë për pesë takimet e ardhshme gjatë vitit të ardhshëm, me një prej atyre takimeve që është në dhjetor të këtij viti me disa rregulla të reja teknike në funksionimin e Komisionit. Osmani shfaqi shpresë se kjo agjendë do të realizohet.

Presidenti bullgar Rumen Radev kërkon që të hapet kapitull i veçantë në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut në të cilën do të përmbahen të gjitha kriteret për fqinjësi të mirë.

Sipas tij, Bullgaria para së gjithash duhet ta mbrojë historinë dhe identitetin e saj.

“Askush përvesh neve vetë nuk mund ta bëjë këtë. Jam i bindur se në mënyrë të hapur duke bashkëpunuar me fqinjët dhe vëllezërit tanë, do të gjejmë zgjidhje reale, por pasi Marrëveshja për fqinjësi të mirë nuk çon drejt tyre, kemi të drejtë të kërkojmë mjete tjera. Bullgaria nuk është kandidate për anëtarësim, por Republika e Maqedonisë së Veriut. Ajo duhet vetë të vendos nëse do të vazhdojë me ideologjitë e urrejtjes nga e kaluara ose do të fillojë zhvillim demokratik”, deklaroi Radev për BNT.

Pohon se ai e ka bindur Qeverinë e Bojko Borisovit se nuk mund të ketë mbështetje pa rezervë për shkupin dhe se në propozim të tij në Parlamentin në Sofje është miratuar korniza kombëtare me “linjat e kuqe”.

Në pyetjen nëse Bullgaria dhe Maqedonia Veriore mund të gjejnë një zgjidhje deri të martën për kur është caktuar takim të Këshillit të çështje të përgjithshme të BE-së, Radev tha se heshtja e qeverisë Bullgare ishte konfuze.

“Ajo nuk ka kundërshtim të qartë. Ka pozicione të sakta, por nuk ka mekanizma të qarta me të cilat duhet të arrihet qëllimi”, tha presidenti bullgar.

Analisti politik dhe themelues i Iniciativës evropiane për stabilitet, Gerald Knaus, vlerëson se Republika e Maqedonisë së Veriut është vendi i vetëm për të cilën Komisioni Evropian është kategorik se mund të fillojë negociata.

“Nëse vendi për të cilin BE-ja beson se është më mirë i gatshëm që ta fillojë procesin negociues sërish është bllokuar për shkak të problemeve bilaterale, atëherë tërë rajoni do të vuajë”, vlerëson Knaus.

Sa është e rrezikshme kur politikanët në rajon do të ndalojnë të besojnë në perspektivën evropiane mund të shihet në vend tjetër, në lindje nga BE-ja, ku zhvillohen luftëra dhe ku nacionalistët pohojnë se BE-ja është ‘fata morgana’”, shtoi ai Knaus.

Knaus thekson se nëse Bullgaria insiston që Republika e Maqedonisë së Veriut ta pranojë interpretimin bullgar të historisë në 100-150 vitet e fundit, duhet të dihet se kjo është “punë e humbur”. Nëse kjo bëhet me të vërtetë kusht për fillimin e negociatave, atëherë nuk do të ketë negociata.

Sipas tij, qeveria në Shkup ka vetëm një opsion – edhe krahas bllokadës, të vazhdojë me reformat, të vazhdojë me bashkëpunimin me BE-në që të afrohet tek anëtarësimi. Në të kundërtën, vendi do të bjerë në pashpresë politike.

“Bullgaria nuk do të marrë asgjë përveç tensionit të panevojshëm me fqinjin e saj dhe keqkuptimit nga partnerët evropianë. Nuk ka fitues në këtë mosmarrëveshje. Nuk ka asnjë qeveri maqedonase që pranon se identiteti i njerëzve të saj është një trillim komunist”, tha Knaus.

Në qoftë se Gjermania, si kryesuese me BE-në dhe vendi më i fuqishëm në BE, mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve historike të pazgjidhura, ai tha se Berlini ishte i dobishëm, por jo me presion.

“Bullgaria mund të thellojë shkëmbimin e studentëve me Republikën e Maqedonisë Veriore. Si një vend ekonomikisht më i fortë, ai mund të krijojë bursa për studentët dhe mundësi për kontakte midis njerëzve. Mund të ketë një ndryshim në qëndrimet, por sigurisht jo nën presion. Si kusht për fillimin e negociatave me BE, kjo kërkesë është jashtëzakonisht e papërshtatshme. Ky mund të bëhet një problem serioz për të gjitha vendet në Evropën Juglindore. Pasojat janë nacionalizmi, paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike e të gjithë rajonit”, ka thënë analisti politik dhe themeluesi i Nismës evropiane të stabilitetit, Gerald Knaus.

Kompromisi, tha ai, duhet të kërkohet në bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe më shumë kontakte midis njerëzve në të dy anët e kufirit.