Një tjetër vaksinë ka dhënë rezultate pozitive kundër koronavirusit. Kompania amerikane “Moderna” ka njoftuar se vaksina e saj ka dhënë 95% efikasitet për mbrojtjen nga COVID-19.
Lajmi është publikuar nga BBC. Kompania “Moderna” njofton se tashmë duhet dhe miratimi nga autoritetet përkatëse për të përdorur vakisnën në javët e ardhshme. Ky rezultat vjen pak ditë pasi Pfizer deklaroi se vaksina e saj ka 90% mbrojtje ndaj koronavirusit.
Ndërkohë, ende nuk dihet se sa do të zgjasë imuniteti pas bërjes së vaksinës së “Moderna”, pasi vullnetarët do të duhet të ndiqen edhe për një kohë të gjatë nga shkencëtarët. Dhe nuk dihet nëse vaksina thjesht ndalon njerëzit të sëmuren rëndë, ose nëse e ndalon gjithashtu të përhapin virusin.
Si krahasohet vaksina Moderna me vaksinën Pfizer?
Të dy vaksinat përdorin të njëjtën qasje të injektimit të një pjese të kodit gjenetik të virusit në mënyrë që të provokojnë një përgjigje imune.
Të dhënat paraprake që kemi parë deri më tani janë shumë të ngjashme – rreth 90% mbrojtje për vaksinën Pfizer dhe rreth 95% për Modernas. Sidoqoftë, të dy provat e vaksinës janë ende në zhvillim.
Vaksina e Moderna duket të ruhet më lehtë pasi mbetet e qëndrueshme në -20C deri në gjashtë muaj dhe mund të mbahet në një frigorifer standard për deri në një muaj.
Vaksina e Pfizer ka nevojë për ambient ultra të ftohtë në rreth -75C, por mund të mbahet në frigorifer për pesë ditë.
Vaksina Sputnik V, e zhvilluar në Rusi, ka lëshuar gjithashtu të dhëna shumë të hershme të cilat sugjerojnë se është 92% efektive.