Kompania farmaceutike Moderna njoftoi të hënën se vaksina e saj eksperimentale ka një nivel efektiviteti prej 94.5% në parandalimin e COVID-19, bazuar në të dhënat paraprake të një prove klinike në fazën e avancuar, informon VOA Shqip.
Së bashku me vaksinën e kompanisë Pfizer, gjithashtu me një nivel efektshmërie mbi 90% dhe në pritje të më shumë të dhënave për sigurinë, Shtetet e Bashkuara mund të kenë dy vaksina të autorizuara për përdorim emergjent në dhjetor, me deri në 60 milionë doza të disponueshme nga fundi i vitit.
Kompania Moderna thotë se vaksina e saj eksperimentale ka një nivel efektiviteti prej 94.5% në parandalimin e COVID-19, bazuar në të dhënat paraprake të një prove klinike në fazën e avancuar.
Moderna është kompania e dytë amerikane që raporton brenda një jave rezultate që tejkalojnë pritshmëritë për efektivitetin e vaksinës.
Vaksina e kompanisë Moderna u testuar në 30 mijë persona. Nga këta, pati 95 raste që rezultuan pozitivë me Covid dhe 11 u prekën nga një formë e rëndë e infeksionit. Por të 11-të nuk kishin marrë vaksinën, por një imitim të saj pa asnjë lloj efekti. Vaksina administrohet me dy doza, 28 ditë larg njera tjetrës.
Një avantazh i madh i vaksinës së Modernës është se ajo nuk ka nevojë të ruhet në temperatura shumë të ulta si ajo e Pfizer-it, duke e bërë më të lehtë shpërndarjen.
Moderna pret që vaksina të jetë e qëndrueshme në temperaturat standarde nga 2 deri në 8 gradë Celsius për 30 ditë dhe mund të ruhet deri në 6 muaj në temperaturë -20 gradë Celsius.
Prodhimi i vaksinës Moderna do të kryhet pjesërisht nga firma zvicerane Lonza në impiantet e reja në Shtetet e Bashkuara dhe Zvicër.
Linjat e reja të prodhimit të kompanisë në Portsmuth të shtetit Nju Hempshër, synojnë të fillojnë prodhimin e përbërësve të vaksinës në nëntor, ndërsa tre linjat në Zvicër, duhet të fillojnë shpërndarjen deri në dhjetor, tha kompania zvicerane në fund të shtatorit .
Lonza ka një kontratë 10-vjeçare për të furnizuar Modernën, duke përfshirë deri në 1 miliard doza në vit të vaksinës COVID-19.
Vitin e ardhshëm, qeveria amerikane mund të ketë më shumë se 1 miliard doza vetëm nga dy prodhuesit e vaksinave, më shumë sesa nevojitet për 330 milionë banorët e saj.
Vaksinat, të dyja të prodhuara duke përdorur një teknologji të re, që shfrytëzon acidin ribonukleik (ARN), janë mjete të reja të fuqishme për të luftuar një pandemi që ka infektuar 54 milionë njerëz në të gjithë botën dhe ka shkaktuar vdekjen e 1.3 milionë njerëzve. Lajmi vjen gjithashtu në kohën kur rastet me COVID-19 janë duke u rritur, me shifra rekord në Shtetet e Bashkuara, ndërsa po i detyron disa vende evropiane të rikthejnë përsëri bllokimet./VOA