Covid-19, oksigjen rezervë ka për 1 muaj

Rritja e vdekshmërisë muajin e fundit nga virusi korona ka ngritur dyshime se pacientët mund të vdesin nga mungesa e oksigjeno terapisë nëpër spitale. Por, në fakt ky mund të jetë shkaku i fundit nëse një pacient ndërron jetë, thonë autoritetet shëndetësore. Vendi ka furnizim të mjaftueshëm me Oksigjen, thonë prodhuesit vendor. Njëra nga kompanitë që furnizon disa spitale private dhe publike në vend, thonë se kanë rezervë oksigjeni për 1 muaj.

Marketing

Pjesa e gazit mjekësor në tregun tonë të përgjithshëm është vetëm 5%. Sasia që posedojmë për momentin në depot tona është sasi që mund ta furnizojnë të gjithë tregun e Maqedonisë për 1 muaj. Do të thotë se kemi të depozituar dhjetëra ton oksigjen të lëngshëm. Sa për ilustrim me këto 40 ton oksigjen mund të furnizojmë pandërprerë për 2 muaj të gjitha kapacitetet spitalore të ‘8 Shtatorit’, si një nga klinikat që harxhon më së shumti këtë element në të gjithë Maqedoninë – tha Zoran Beqarovski, Drejtor gjeneral “Messer Vardar Tehnogas”.

Kreu i “Messer Tehnogas” tha se përveç kësaj kompanie me prodhimin e oksigjenit të lëngshëm në bazë ditore mund të furnizojnë edhe vendet e rajonit. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se të gjitha repartet infektive të klinikave dhe spitaleve në vend kanë furnizim të vazhdueshëm me oksigjen, për pacientët që kanë nevojë të patjetërsueshme për të.

Të gjitha klinikat dhe spitalet e përgjithshme që janë të pajisura me sistem qendror të furnizimit me oksigjen kanë sasi të mjaftueshme. Përveç kësaj, çdo repart infektiv posedon edhe bombola oksigjeni – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Shqetësimi i opinionit për mungesën eventuale të oksigjenit erdhi pas vdekjeve të shumta në kushte spitalore, nëpër repartet infektive ku pacientët me CoVid-19 trajtohen me oksigjeno terapi. Për hetimin e fundit, ku pacientja 41 vjeçe ndërroi jetë në Spitalin e Shtipit, Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor i dha afat tri ditë drejtorit Alen Georgijev që të raportoj për të gjitha dyshimet e personelit mjekësor. Nga ky Inspektorat njoftojnë se në dy muajt e fundit janë zbatuar edhe hetime të reja për 4 pacientë -një nga Sveti Nikolla, një nga Resnja dhe dy nga Strumica. Aktualisht, për vdekje të dyshimta në kushte spitalore janë duke vazhduar hetimet edhe për 4 raste të tjera nga Tetova, Manastiri, Kavadari dhe Kriva Pallanka.