Një panel i Senatit amerikan i ka thirrur në një dëgjim, shefat e Facebook-ut dhe Twitter-it për të shqyrtuar mënyrën se si ata e kanë menaxhuar dezinformimin në zgjedhjet presidenciale amerikan të mbajtura më 3 nëntor.
Por, senatorët janë thellësisht të ndarë në baza partiake, sa i përket integritetit dhe vetë rezultatit të zgjedhjeve. Sipas projektimeve që kanë bërë mediat kryesore amerikane, kandidati demokrat Joe Biden, ka mposhtur në zgjedhje presidentin aktual, Donald Trump.
Ky dëgjim është ftuar nga Komiteti Gjyqësor i Senatit, ku Mark Zuckerberg i Facebook-ut dhe Jack Dorsey i Twitter-it do të pyeten lidhur me veprimet e ndërmarra nga kompanitë e tyre në këto zgjedhje, që ishin ndër më të ngushtat në histori. Të dy udhëheqësit e rrjeteve sociale do të bëjnë prezantimin e tyre përmes videos, raporton AP.
Senatorët republikanë, duke përfshirë edhe kryetarin e këtij komiteti, senatorin Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, kanë refuzuar që të kundërshtojnë pretendimet e pabazuara të presidentit Donald Trump për mashtrim dhe parregullsi në zgjedhje, edhe pse informatat e rreme që e kontestojnë fitoren e Joe Bidenit, janë shpërndarë gjerësisht online.
Graham, që është aleat i ngushtë i presidentit Trump i ka kërkuar atij publikisht: “Mos e prano humbjen zoti president. Lufto fuqishëm”.
Muajin e kaluar, Zuckerberg dhe Dorsey iu premtuan ligjvënësve amerikanë se do të mbikëqyrnin në mënyrë rigoroze platformat e tyre, që të mos lejonin manipulime nga qeveritë e huaja, apo që ato të përdoreshin për nxitje të dhunës për shkak të rezultatit zgjedhor. Në fakt, ata edhe vepruan kështu edhe me raste të profilit të lartë, duke e zemëruar presidentin Trump dhe mbështetësit e tij.
Twitter dhe Facebook kanë bashkangjitur emërtimin për dezinformatë në disa nga postimet e presidentit Trump, veçmas ato postime ku ai e cilësonte votimin me postë si mashtrim.