Në shenjë të kremtimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, sot disa nga institucionet në Shkup do të ndriçohen me ngjyrë të kaltër si gjest simbolik i angazhimit të tyre për promovimin e të drejtave të fëmijëve.
Qeveria, Kuvendi, UNICEF-i, Delegacioni i BE-së, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Muzeu Arkeologjik, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Ambasada e Italisë, si dhe Halk Bank dhe Ramstor Mall, të cilat i janë bashkuar nismës, do të ndriçohen me ngjyrë të kaltër.
Çdo vit më 20 nëntor, ditën e nënshkrimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, Dita e Fëmijës kremtohet në të gjithë botën, ndërsa ndërtesat dhe monumentet ndriçohen me ngjyrë të kaltër. Në vitin 2019, institucionet e rëndësishme si Parlamenti Evropian në Bruksel, Panteoni në Francë, Akropoli i Athinës në Greqi, Pallati i Paqes në Hagë, Holandë, Rastrapati Bahavan në Indi, Petra në Jordan, Urat e Bosforit në Turqi dhe shumë të tjerë u ndezën me ngjyrë të kaltër.
Këtë vit, Dita Botërore e Fëmijëve po shënohet në një pandemi që, sipas UNICEF-it, ka ekspozuar pabarazitë në shoqëri, duke i vënë fëmijët në rrezik të bëhen viktima të fshehura.
Duke pasur këtë parasysh, UNICEF-i u bën thirrje qeverive, komunitetit të biznesit dhe të gjithë aktorëve të tjerë që të shënojnë këtë ditë si një mundësi për të dëgjuar se si fëmijët dhe të rinjtë duan të mendojnë të ardhmen.
“Duke u bazuar në suksesin e takimit të parë të nivelit të lartë në vend #KidsTakeover në vitin 2019, kur të rinjtë hapën një diskutim me ministrat e Qeverisë për tema që lidhen me jetën e tyre, më 20 nëntor të këtij viti, së bashku me Qeverinë dhe delegacionin e BE-së në Maqedoni të Veriut, UNICEF-i do të mbështesë #KidsTakeover të dytë në të cilin pjesëmarrësit do të adresojnë çështjen më të rëndësishme që ka të bëjë me fëmijët: se si ata e parashikojnë të ardhmen e arsimit dhe si ta përmirësojnë më mirë arsimin pas KOVID-19”, thuhet në kumtesën e UNICEF-it.