OBSH: Europa është rikthyer në epiqendrën e pandemisë, e presin 6 muaj të vështirë

Europën e presin të paktën gjashtë muaj të tjerë të vështirë në përballjen me virusin e ri korona pasi vaksina mund të mos mbërrijë në kohë për disa vende.

Marketing

Drejtori i OBSH-së për Europën, deklaroi se kontinenti është rikthyer në epiqendrën e pandemisë së bashku me Amerikën, duke regjistruar javën e kaluar më shumë se 29 mijë viktima.

Sidoqoftë, ai theksoi se rastet janë në rënie me marrjen e masave kufizuese kundër infeksionit.

Europa ka konfirmuar më shumë se 15 milionë bartës të kovidit-19 dhe mbi 350 mijë viktima, me Britaninë që mban rekordin me 53 mijë vdekje, ndërsa Franca kryeson për rastet në total.

Përhapja e virusit shpresohet të kontrollohet nëpërmjet vaksinave të prodhuara rishtas.

Kjo temë u diskutua të enjten në samitin e posaçëm të vendeve të Bashkimit Europian.

“Shtruam 3 çështje të rëndësishme: testimin, vaksinat dhe koordinimin për heqjen e kufizimeve. Për vaksinat, duam që ato t’i vihen në dispozicion të gjithëve dhe me çmim të përballueshëm. Sasinë do e ndajmë edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa për kufizimet, duhet të mësojmë nga e kaluara dhe të tregohemi gradualë, të kujdesshëm, që këtë fundvit të mund ta festojmë por të sigurt,” u shpreh presidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel.

BE-ja pret që gjatë javëve të ardhshme të marrë porositë e dy vaksinave amerikane dhe gjermane që kanë rezultuar 95 përqind efikase ndaj koronavirusit të ri.

Ndërsa janë porositur rreth 300 milionë doza, sasia fillestare do të jetë më e kufizuar.

Ndërkohë për sa i përket terapive aktuale, Organizata Botërore e Shëndetësisë këshilloi të enjten institucionet shëndetësore që të mos e përdorin më ilaçin “Remdesivir” për pacientët me COVID-19.

Sipas OBSH-së, ilaçi nuk rezulton të ketë “ndonjë efekt të rëndësishëm” në uljen e vdekshmërisë dhe as nuk e shkurton kohën e shërimit në spital.