Klinika “Zhan Mitrev” e para e mbështeti iniciativën e Qeverisë për vendosjen e kapaciteteve private në dispozicion, për trajtimin e pacientëve me Kovid-19. Këtë e theksoi vetë pronari i këtij spitali Zhan Mitrev i cili njëherit shpalosi edhe problemet me të cilat përballen, e që janë të ngjashme me ato të spitalve shtetërore.
“Jemi të vetëdijshëm se gjendja është e rëndë me muaj të tërë, ashtu sikur shëndetësia publike, edhe te ne, kemi trysni të madhe nga pacientët, nuk ka krevat të lirë dhe ka lista të pritjes të cilat çdo ditë rriten. Punojmë me kapacitet të plotë dhe personeli ynë është shumë i lodhur, ndërsa një pjesë të tyre e kemi në izolim. Momentalisht 80 krevate janë të mbushur dhe kemi mbi 30 pacientë të cilët presin për shtrat të lirë. Ashtu siç lëshohen të shëruarit në nivel ditor, ashtu plotësohen të njëjtët”, tha Zhan Mitrev.
Në këtë drejtim Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe këtë pasdite zhvilloi takim me disa pronarë të spitaleve private. E nga ministria e shëndetësisë thonë se është shumë me rëndësi që pronaret e spitaleve si “Zhan Mitrev”, “Sistina” dhe “Remedika” janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim. Filipçe thotë se doemos kemi nevojë për kapacitete të reja spitalore.
“Po na pret periudhë kritike në të cilën do të kemi nevojë për kapacitete spitalore. Kjo ndodh në gjithë rajonin. Po i shohim dhe ndjekim gjendjet në vendet fqinje – rritje e madhe edhe përkundër asaj që disa vende kanë edhe masa më restriktive se ne”, theksoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski tha se për të gjitha shërbimet që do t’i japin institucionet private shëndetësore, do të marrin dëmshpërblim, respektivisht kompensim i cili nuk mund të jetë më i lartë se 30% nga vlera e tregut, duke shtuar se kjo nuk nënkupton për nacionalizim të spitaleve private.
“Këtu nuk bëhet fjalë për nacionalizim të spitaleve private, por për menaxhimin e tyre në luftën kundër pandemisë, për çka Qeveria do të vlerësojë ku është e nevojshme. Ndryshe, e dini se prona private është e garantuar me Kushtetutë dhe këtu nuk bëhet fjalë për nacionalizim apo ndryshim të pronës”, deklaroi Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.
Përndryshe në Kovid – qendrat në Shkup gjatë 24 orëve të kaluara janë hospitalizuar 65 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve me koronavirus, me çka numri i përgjithshëm i pacientëve që mjekohen në reparte infektive të kryeqytetit arrin 459. Ndryshe, që sot, Klinika për sëmundje të syve me një kapacitet prej 23 shtretërve është vënë në dispozicion si kovid-repart në Shkup, si dhe SPQ “8 Shtatori” është zgjeruar për 20 vende të reja dhe tani disponon me 100 shtretër. Pas shpalljes së gjendjes së krizës për shkak të përkeqësimit të situatës me Covid-19, në dispozicion do të vendosen edhe kapacitetet e spitaleve private dhe poliklinikave, si dhe stafi i tyre mjekësor.