Kryeministri, Zoran Zaev sot kishte takim me ambasadoren e SHBA-së, Kejt Bërnz, në të cilin u diskutua për proceset aktuale të integrimit evropian, bashkëpunimin strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së dhe për sfidat në ballafaqimin me pandeminë e shkaktuar nga Kovid-19.
Në takimin, kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, bashkërisht u konstatua se të dy vendet dëshirojnë që negociatat e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian të fillojnë deri në fund të vitit, si një investim në stabilitetin rajonal dhe një proces i rëndësishëm për sigurimin e prosperitetit për qytetarët. Sipas Zaevit dhe Bërnz, zgjidhja e çështjeve bilaterale duhet të mbetet jashtë kornizës negociuese midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, ndërsa çdo kundërshtim ose paaftësi e këtij procesi është drejtpërdrejt e dëmshme për kohezionin e familjes transatlantike të kombeve dhe në kundërshtim me interesat e stabilitetit dhe demokracisë në rajon.
Ambasadorja Bërnz i mirëpriti përpjekjet e Qeverisë për ta mënjanuar fjalorin nxitës në publik dhe i mbështeti përpjekjet për të mbajtur një dialog konstruktiv dhe të hapur për këto çështje. Kryeministri Zaev u bashkua me këto pikëpamje dhe shfaqi shpresë se shembulli i qeverisë në promovimin e dialogut si një mjet për zgjidhje do të ndiqet nga të gjithë palët e interesit në vend dhe rajon.
“Kryeministri Zaev shprehu falënderim për mbështetjen strategjike dhe aleate që Maqedonia e Veriut e merr nga SHBA-ja dhe së bashku me ambasadoren Bërnz i konfirmuan angazhimet për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe thelbësor në ballafaqimin me koronavirusin si dhe për investime edhe më të mëdha të drejtpërdrejta nga SHBA zhvillimin e energjetikës, ekonomisë digjitale dhe sigurisë kibernetike në përputhje me standardet e sigurisë së NATO-s”, qëndron në kumtesë.