Komisioni Evropian ka arritur një marrëveshje me kompaninë amerikane të bioteknologjisë “Moderna” për të blerë 160 milionë doza të vaksinës e saj kundër Covid-19, tha një zyrtar evropian për “Reuters”.
“Moderna”, kompania bioteknologjike amerikane me bazë në Massachusetts, publikoi rezultatet e vaksinës së saj, të hënën e kaluar. Kjo vaksinë po zhvillohet në bashkëpunim me qeverinë e SHBA.
Ursula von der Leyen, njoftoi se Komisioni Evropian do të nënshkruajë nesër kontratën e tij të gjashtë për të blerë 160 milionë doza të vaksinës vaksinat së “Moderna”-s.
Presidentja e Komisionit theksoi se BE po ndërton “një nga ‘portofolet’ më të plotë të vaksinave për COVID-19” dhe shtoi se “vaksinat e sigurta dhe efektive mund të na ndihmojnë t’i japim fund pandemisë”.
Agjencia Evropiane e Barnave ka zbatuar një procedurë të shpejtë që e lejon atë të rishikojë të dhënat e sigurisë dhe efikasitetit të vaksinave sa më shpejt që ato të dorëzohen, përpara se të paraqitet një aplikim për autorizim nga prodhuesi.
Vaksinat Oxford / AstraZeneca, Pfizer / BioNTech dhe Moderna janë tre programet që aktualisht po vlerësohen nga EMA.