Biden shpall zyrtarisht emërimet për kabinetin e tij

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden paraqiti të martën emërimet për anëtarët e parë të kabinetit të tij, që përfshijnë ish-zëvendës sekretarin e shtetit Antony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit.

Marketing

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të jenë “të gatshme të udhëheqin” përsëri në skenën globale pasi ai të vijë në Shtëpinë e Bardhë në janar, duke u zotuar se Amerika do të punojë me aleatët jashtë vendit.

Zoti Biden sinjalizoi se synon t’i largojë Shtetet e Bashkuara nga motoja unilateraliste “Amerika e Para” e ndjekur nga Presidenti Donald Trump.

“Është një ekip që pasqyron faktin se Amerika po rikthehet, gati për të udhëhequr botën, jo për t’u tërhequr prej saj,” tha zoti Biden.

Politika e jashtme amerikane nën administratën Biden ka të ngjarë të përqendrohet në një qasje shumëpalëshe dhe diplomatike që synon të riparojë marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët kryesorë dhe të ndjekë rrugë të reja për çështje të tilla si ndryshimi i klimës.

Zoti Biden tha se ishte befasuar nga telefonatat me udhëheqësit botërorë për faktin “se sa me padurim po presin ata që Shtetet e Bashkuara të afirmojnë rolin e tyre historik si udhëheqës global kudo në Paqësor, Atlantik dhe në të gjithë botën.”

Zyrtarët e përzgjedhur, shumica e të cilëve do të kërkojnë konfirmimin e Senatit, u paraqitën me Zotin Biden dhe me Zëvendës Presidenten e zgjedhur Kamala Harris në një aktivitet të organizuar për këtë qëllim në Uilmington të shtetit Delauer.