Reformat e administratës dhe racionalizimi i punës dhe të punësuarve në të për vite me radhë parashikohen në plan programet qeveritare. Në dekadën e fundit me më shumë apo më pak sukses megjithatë është arritur progres në fusha të caktuara, ndërsa mbeten për tu zgjidhur edhe më tej sfidat e mëtejshme, për shkak se ky është një proces i vazhdueshëm dhe që kërkon edhe kohë.
Edhe ekzekutivi i ri pas pranimit të detyrës ka paralajmëruar se do të vazhdojë me reformat e ngecura në këtë sektor që do të përcillen edhe me ndryshime të legjislacionit.
Përskaj Ligjit të ri për të punësuarit e administratës publike, në vend të ndryshimeve dhe plotësimeve të këtij ligji, pritet që me zbutjen e pasojave të pandemisë të përshpejtohen edhe reformat në administratë.
Pritet që me legjislacionin e ri për nëpunësit administrativ ndër të tjera, të tejkalohen më shumë probleme që vështirë gjejnë zgjidhje praktike në punën e përditshme të shtetit. Pritet që zgjidhja e re ligjore të rrisë efikasitetin dhe mbikëqyrjen e punës në sektorin publik. Edhe më tej do të punohet si në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, ashtu edhe në uljen e numrit të të punësuarve në institucionet shtetërore. Edhe në programin qeveritar thuhet se ndër angazhimet do të jenë edhe ulja për 20 për qind e të punësuarve në administratë, përmes bashkimit të funksioneve dhe kompetencave të më shumë institucioneve, pensionimit të obligueshëm deri më 64-vjeç me përjashtim të mjekëve dhe profesorëve universitar ku pritet që deri më fund të vitit 2021 të pensionohen 10.000 persona. Njëherësh do të ketë edhe pako transferi në sektorin privat si dhe pensionime të parakohshme. Ndër të tjerash, me ndryshimet ligjore do të dihet se kush i zbaton dhe kush i krijon politikat, dhe kush po realizon mbikëqyrjen inspektuese. Angazhimet do të jenë që të mos vendosë një njeri për vendime të ndryshme dhe të mos ketë “udhëheqës të përjetshëm”, deri në pensionim. Pritet që të realizohen edhe procedura transparente dhe konkurruese të bazuara në meritat për përzgjedhjen e kuadrove udhëheqëse. Njëherësh do të vendoset edhe koncepti i llogaridhënies menaxheriale, si dhe definimi i kompetencave në të gjitha nivelet e administratës.
Kohë më parë edhe ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Jeton Shaqiri paralajmëroi se do të angazhohet për reformim të mëtejshëm të administratës. Sipas tij, do të vazhdohet edhe më tej procesi i riorganizimit dhe optimizimit të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve të inspeksionit, ndërsa mbetet i hapur edhe opsioni për uljen e numrit të të punësuarve në sektorin publik me pakot për transferin e tyre në sektorin privat.
Se në cilat institucione do të bashkohen funksionet, dhe se cilat do të shkurtohen pritet të tregojnë analizat e detajuara të ekspertëve të angazhuar deri në fund të vitit. Pas analizimit dhe përpunimit të dhënave, konsultimit të odave ekonomike dhe sindikatave do të realizohet edhe harmonizimi i ligjeve për nëpunës administrativ dhe për shërbimin publik. Gjithashtu, parashikohet edhe vlerësimi i administratës i bazuar në dëshmi me evidencë të rezultateve të arritura në bazë të realizimit të qëllimeve dhe detyrave të punës, kontributit ndaj realizimit të planit strategjik të institucionit përkatës, pjesëmarrjes dhe angazhimit personal të nënpunësit administrativ në definimin, planifikimin e realizimit dhe ndjekjen e rezultateve të përcaktuara me planin strategjik të institucionit. Do të kërkohet edhe demonstrim i kompetencave në vendin e punës si dhe angazhimi ndaj mësimit dhe zhvillimit, vlerësimit nga vlerësuesit e tjerë dhe vetë vlerësuesit etj. Javën e kaluar gjatë prezantimit të buxhetit të dikasterit të tij, ministri Shaqiri theksoi se ai përbëhet nga 900 milionë denarë mjete për financimin e Agjencisë së Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Radiodifuzionit nacional dhe Radiotelevizionit nacional. Më tej mjetet për punën e MARnet-it me 14.5 milionë denarë dhe afër 60.6 milionë denarë shkojnë për digjitalizimin e shërbimeve dedikuar qytetarëve dhe bizneseve. Pritet që të ofrohen 130 shërbime të reja elektronike përmes portalit kombëtar të e-shërbimeve.
“Të gjitha shërbimet, të disponueshme deri tek të gjithë qytetarët, janë prioriteti ynë kyç për vitin 2021. Prandaj, investojmë në afrimin e shërbimeve deri tek qytetarët në dy mënyra: nëpërmjet qendrave të “Një pikë shërbimi” dhe nëpërmjet aparateve për lëshimin e dokumenteve”, theksoi ministri Shaqiri. Nga ana tjetër, sektori i biznesit më shumë herë ka theksuar se çështja e administratës shtetërore dhe racionalizimit të saj është mjaft e rëndësishme si në aspektin e harxhimeve, ashtu edhe të kompetencës së të punësuarve në sektorë të ndryshëm prej të cilave varet cilësia dhe shpejtësia e shërbimeve shtetërore që i nevojiten biznesit. “Madhësia e administratës publike udhëzon se shteti është punëdhënësi më i madh , ndërsa numri i të punësuarve në administratë n publike dhe shtetërore nuk përkon me potencialet financiare të shtetit, duke marrë parasysh madhësinë e shtetit dhe vëllimin e mjeteve nga ekonomia që mbushin buxhetin. Andaj nevojitet të krijohet një sistem modern dhe objektiv për matjen e efikasitetit dhe azhornitetit të nëpunësve shtetëror dhe publik gjatë lëshimit të lejeve të ndryshme, për shkak të rritjes së efikasitetit, profesionalizmit dhe transparencës në nivel lokal dhe kombëtar”, thotë Elena Milevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.
Ajo nevojën për rritjen e efikasitetit të administratës e mbështet edhe me anketat e shumta dhe ankesat e Odës Ekonomike dhe Këshillit të Investitorëve të huaj. Në vitin e kaluar, si problem në udhëheqjen e biznesit janë theksuar krahas procedurat e gjata gjyqësore, edhe burokratizimi, procedurat e gjata për sigurimin e lejeve ndërtimore, procedurat administrative në Kadastrën e patundshmërisë të lidhura me raportet pronësore-juridike, procedurat për mbylljen e bizneseve, mosrespektimi dhe prolongimi i afateve ligjore të organeve kompetente për fitimin e lejeve dhe miratimeve të ndryshme etj. Nga Oda Ekonomike thonë se sugjerojnë rritjen e pagave të nëpunësve administrativ që do të jenë stimuluese në raport me efikasitetin dhe përgjegjësinë, si dhe mbështesin sistemin progresiv të shpërblimit në varësi prej rezultateve të arritura në punë. Nga atje shtojnë se mbështesin krijimin e një administrate profesionale, të departizuar dhe depolitizuar publike dhe shtetërore, që do të sjellë edhe procedura të shpejta dhe efikase administrative si dhe ulje të burokracisë. (koha.mk)