Kuvendi ka miratuar sot ngritjen e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Marty. 83 deputetë votuan pro, 10 abstenuan dhe 10 votuan kundër ngritjes së këtij komisioni.
Nisma për ngritjen e këtij komisioni erdhi nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe u firmos nga 18 deputetë socialistë.
“Ngritja e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatës në Shqipëri mbi çështjen e raportit të anëtarit APKiE Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politik shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇk-së në Shqipëri”, thuhet në kërkesën e dorëzuar në Kuvend.
Balla tha sot në Kuvend se ky komision nuk ka lidhje me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe me akuzat që janë ngritur ndaj tij për detyrat që ka mbajtur kur ka punuar në Kosovë.
Propozimi për ngritjen e këtij komisioni erdhi pasi u konfirmua aktakuza në Hagë për udhëheqësit politikë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa. Ata po përballen në Gjykatën Speciale me akuzat e krimeve të luftës dhe ato ndaj njerëzimit. Por në aktakuzën e tyre nuk janë të përfshira çështjet e trafikimit të organeve që trajtohen në raportin e Dick Martit dhe që për të cilat Kuvendi do të ketë tashmë një komision të posaçëm.