Dita e Dardanëve, sonte kërkojnë fitore ndaj Sllovakisë

Kosova sonte do të përballet me Sllovakinë, në takimin që zhvillohet në Bratislavë në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.

Dardanët pavarësisht disa mungesave janë të motivuar për të dhënë maksimumin në sfidën përballë sllovakëve.

Marketing

Në kampin e Kosovës mbretëron atmosferë shumë pozitive dhe basketbollistët janë të gatshëm për këtë sfidë shumë të rëndësishme.

Lojtarët janë grumbulluar të mërkurën e kaluar në Prishtinë, ku kanë qenë të karantinuar, por njëkohësisht janë stërvitur deri të dielën, derisa të hënën morën rrugën ndaj Sllovakisë. Nga dita e martë, stërvitjet i kanë vazhduar në Bratislavë.

Kosova pas ndeshjes së sotme (ora 19:00), më 28 tetor do të ndeshet me Islandën (nga ora 16:00). Të dy ndeshjet zhvillohen në Bratislavë dhe do të transmetohen ekskluzivisht në ArtMotion.

Dardanët janë liderë të grupit me dy fitore në dy ndeshje. Kosova në muajin shkurt të këtij viti mundi në Prishtinë, Islandën 80:78 dhe Luksemburgun në udhëtim 80:84. Sllovakia dhe Islanda kanë grumbulluar nga tri pikë, kurse Luksemburgu është në vendin e fundit me dy.

Takimet e fundit në grupe do të jenë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ku Kosova do të ndeshet me Sllovakinë dhe Luksemburgun.