Sot në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës u promovua libri “Atlas
dialektologjik i të folmeve shqipe në RMV” (I-II) i autorit Mustafa
Ibrahimi. Në fillim pjesëmarrësit i përshëndeti drejtori i AZGJ-së,
Ylber Sela i cili, në mes të tjerash, theksoi se Mustafa Ibrahimi ka
qenë që nga fillimi bashkëpunëtor i AZGJ-së, duke treguar gjithmonë
vullnet dhe gatishmëri për të ndihmuar në aktivitetet e saj. Prandaj,
shtoi më tej ai, libri i sotëm paraqet një vazhdimësi, me çka na e
paraqet si një ekskluzivitet që ne ta shohim nën prizmin e dritës
shkencore.
Ndërkaq, për vlerat shkencore të librit në fjalë folën referuesit Ismet
Osmani, shef i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në
Universitetin “Shën Cirili dhe Metodij” në Shkup, Marjan Markoviq nga
Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve, Nexhip Mërkuri, profesor
universitar nga Vlora, të cilët i vunë në dukje disa aspekte shkencore
që e karakterizojnë këtë vepër nga fusha e dialektologjisë.
Në fund disa fjalë mirënjohëse i tha edhe autori Mustafa Ibrahimi i cili
u falënderua për promovimin e organizuar nga AZGJ-ja.