Grubi priti në takim lamtumirës ambasadorin e Greqisë Dimitris Janakakis

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi priti sot në takim
lamtumirës ambasadorin e Greqisë, z. Dimitris Janakakis me të cilin
biseduan për çështjet aktuale në vend dhe rajon si dhe për projektet
përmes të cilave në mënyrë shtesë do të thellohet bashkëpunimi midis dy
vendeve.

Marketing

Grubi dhe ambasadori Janakakis gjatë këtij takimi biseduan rreth
zbatimit të Marrëveshjes së Prespës me ç’rast u dakorduan se të dy
vendet do të respektojnë obligimet që dalin nga kjo marrëveshje.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se Marrëveshja e Prespës duhet të
merret si një shembull i mirë për tejkalimit e kontesteve të ndryshme në
rajon dhe botë.

Ambasadori grek Janakakis i tha zëvendëskryeministrit të parë Grubi se
Republika e Maqedonisë së Veriut mund të llogarisë në përkrahjen greke
sa i përket procesit të implementimit të të gjitha reformave të
nevojshme me qëllim anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori grek Janakakis këmbyen
mendime edhe rreth ndërtimit të linjës së interkoneksionit të gazit
midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, projekt ky që do të rrisë
konkurrencën dhe sigurinë e furnizimit të vendit tonë me gaz natyror,
por gjithashtu do të përmirësojë edhe konkurrencën e ekonomisë në
përgjithësi në mbarë rajonin, ku Maqedonia e Veriut do të bëhet qendër
energjetike në Ballkan, përmes së cilës vendet e tjera fqinje do të
furnizoheshin me gaz.

Grubi dhe Janakakis në fund të këtij takimi lamtumirës ranë dakord që të
dy vendet duhet të vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të mira dhe të
angazhohen me qëllim promovimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat, në
veçanti në fushën e ekonomisë, që është në interes të të gjithë
qytetarëve në të dy vendet.