Nga sot në Napoli do të ketë një stadium me emrin “ Diego Armando Maradona”. Këshilli i Komunës së qytetit, miratoi rezolutën e propozuar nga kryetari i Bashkisë, Luigi de Magistris dhe nga këshilltarja për Toponiminë, Alessandra Clemente. Akti zyrtar u nënshkrua unanimisht nga të gjithë anëtarët.
Nga ky moment stadiumi “San Paolo” do të quhet “Diego Armando Maradona Stadium”. Vendimi vjen nëntë ditë pas ndarjes nga jeta të ish-futbollistit të famshëm argjentinas. Ai kujtohet nga qyteti si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave i cili me talentin e tij të jashtëzakonshëm e nderoi fanellën e Napolit për shtatë vjet. Në këmbim qyteti i fali dashuri të përjetshme.