Në aeroportin e Shkupit që sot do të vendoset linjë e re ajrore në relacionin Shkup – Kiev.
Fluturimet e reja, që vihen për herë të parë midis Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, do t’i realizojë kompania ajrore WINDROSE. Fluturimet 7W791/792 do të bëhen çdo të enjte dhe të diele.
“Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nga 6 dhjetori 2020 vihen fluturime në relacionin Kiev-Shkup-Kiev!”, kumtoi Ambasada e Ukrainës në Shkup.
Fluturimet nga aeroporti Borispil, do të bëhen me aeroplanë Embraer-145 dhe ATR72-600. Përveç kësaj, theksojnë nga ambasada, WINDROSE ofron transit nga rajonet e Ukrainës: Harkov, Dnipro, Odesa dhe Lavov.
“Ekzistimi i fluturimeve të drejtpërdrejta do të kontribuojë për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral – përforcimin e lidhjeve të biznesit, zhvillimin e turizmit në të dyja vendet, njoftimin më të mirë të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut me Ukrainën dhe të ukrainasve me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, qëndron në faqen e Fejsbukut të ambasadës së Ukrainës.
Në ueb faqen e WINDROSE tashmë mund të blihen biletat për në Kiev dhe për në Shkup.