Komisioni kuvendor për çështje evropiane sot në lexim të parë e shqyrton Propozim-ligjin për regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në pajtim të të cilit duhet të mundësohet mbajtja e këtij operacioni statistikor vitin e ardhshëm.
Në pajtim me dispozitat e ligjit, siç sqaroi zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu, në kuadër të këtij operacioni statistikor do të mund të regjistrohen shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët kanë vendbanime apo vend-qëndrime në vend, pa dallim nëse për momentin e regjistrimit ndodhen në shtet apo jashtë shtetit.
Për personat – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët janë në punë apo qëndrim të përkohshëm jashtë vendit nga neni 10 i këtij ligji i jep personi i moshës madhore i cili i ka gjërat më të njohura, me ç’rast e jep NVAQ të tij apo NVAQ të personit për të cilin jep të dhëna në regjistrim. Për personat-shtetas të RMV-së të cilët ndodhen në qëndrim apo punë të përkohshme jashtë shtetit do të mundësohet edhe vetëregjistrim në periudhën prej 1 marsit deri më 21 prill të vitit 2021 në aplikacion të posaçëm i cili është i kapshëm në ueb faqen e Entit shtetëror për statistika.
“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij regjistrimi të popullatës, amvisërive dhe banesave për të gjithë qytetarët, duke i përfshirë qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët për momentin ndodhen përkohësisht në shtete të tjera. Dëshiroj t’Ju bind se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut kudo të që ndodhen, në vend apo jashtë vendit, nuk i kemi lënë anash nga ky propozim-ligj”, tha Nuhiu.
Në këtë mënyrë, tha, do t’i vihet fundi secilit tentim për manipulim apo shtrembërim të të dhënave lidhur me regjistrimin e qytetarëve në vend në bazë të përkatësisë etnike.
Maqedonasit, shqiptarët dhe të tjerët të cilët jetojmë në këtë vend, të cilët jemi shtetas me vite prapa do të mund të regjistrohemi aq sa jemi dhe ata të cilët jemi”, tha Nuhiu.
Gjithashtu, do të regjistrohen shtetasit e huaj të cilët qëndrojnë në RMV me leje qëndrimi, personat pa shtetësi të cilët në momentin e zbatimit të regjistrimit janë hasur në RMV.
Me regjistrimin nuk do të përfshihet personeli diplomatik i përfaqësive të huaja diplomatike konsullare në RMV dhe anëtarët e familjeve të tyre, personeli i huaj ushtarak dhe anëtarët e familjeve të tyre, të locuar në RMV, si dhe anëtarët dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare dhe bashkësive të cilët në momentin e regjistrimit qëndrojnë në vend. Nuk do të regjistrohen edhe shtetasit e huaj të cilët në momentin e regjistrimit ndodhen në RMV për shkak të udhëtimit zyrtar, vizitës private, mjekimit, udhëtimeve turistike dhe të ngjashme.
Para fillimit të mbledhjes së Komisionit dhe hapjes së debatit, në mënyrë procedurale reagoi deputetja Zhaklina Peshevska nga VMRO-DPMNE, e cila theksoi se Komisioni për çështje evropiane nuk duhet të jetë trup amë për këtë ligj, por ai duhet të jetë Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive.
Komisioni amë është ky, replikoi kryetari i Komisionit, Arbër Ademi, mes tjerash edhe për shkak të nenit 79 të Rregullores kuvendore, në pajtim të së cilës nuk mundet në mbledhje plenare të shqyrtohet një ligj i cili harmonizohet me direktivat evropiane, nëse nuk është shqyrtuar në Komision për çështje evropiane. Ai i citoi edhe të gjitha aktet me të cilat harmonizohet ky ligj, e për të cilat është në rend dite të këtij Komisioni.
Debati për ligjin për regjistrim në Komisionin për çështje evropiane do të zgjasë tre ditë.