Regjistrimi i popullsisë, Komisioni për Çështje Evropiane mbështeti pr/ligjin

Komisioni Parlamentar për Çështje Europiane, njëzëri dha pëlqimin që propozim ligji për regjistrim të popullsisë dhe amvisërive të shkojë në shqyrtim të mëtejmë të kuvendit. Zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu, tha se me tekstin ligjor i vihet fund çdo manipulimi eventual apo shtrembërim të të dhënave mbi regjistrimin e popullsisë në shtetin tonë mbi baza të përkatësive etnike.

Marketing
“Maqedonasit, shqiptarët dhe të tjerët që jetojmë në këtë shtet, që jemi shtetas të RMV-së, me sa e sa vite do të regjistrohemi ashtu siç jemi, aq sa jemi. Këtë gjë e garantojmë me ligj, sepse jemi përcaktuar që të kemi 45 regjione regjistrimi. Për çdo regjion do të themelohen komisione të posaçme që do të përbëhen prej pesë deri në 9 anëtarësh, përfshirë edhe kryetarin.”,- tha zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu.
Opozita paralajmëroi amendamente. Nga Aleanca për Shqiptarët edhe përkundër tekstit të mirë ligjor thanë se ekzistojnë dilemat për falsifikim të mundur të procesit.
“Përgatitja e pyetësorit është e drejtë ekskluzive e Entit Statistikor dhe këtu zotëri zëvendësministër mund të vijmë deri tek dilemat dhe problemet eventuale.”,- theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Nga VMRO–DPMNE thonë se regjistrimi bëhet për qëllime politike duke u dhënë kompetenca shtesë të drejtorit dhe zëvendës drejtorit të Entit Statistikor.
“Drejtorit të entit shtetëror të statistikave i jepen shumë kompetenca, i cili do të përgatisë metodologjinë e regjistrimit dhe akteve nënligjore. Më simptomatike është se pas miratimit të të njëjtave pëlqimin duhet ta jep edhe zëvendësdrejtori i entit.”,- theksoi deputetja e VMRO–DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
Nga Lëvizja Besa kërkojnë krijimin e mekanizmave të mirëbesimit ndaj procesit të regjistrimit.
“Jetojmë në ashtu atmosfere që duhet domosdo të kemi edhe mënyrë institucionale të sanksionuara mekanizma si do të jetë ky operacion i pranuar nga të gjithë dhe mos të kemi situatë që  një operacion të ketë koston e saj dhe në fund të dalim si parti politike, e pranojmë se pranojmë.”,- theksoi deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.
Nga LSDM thonë se ligji nuk është politik dhe ftojnë t’u besohet institucioneve.
“Nuk mund të pajtohem se ligji ngjason në politik, apo ka ndonjë dimension politik. Përfundimisht do të duhet ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe besojmë në ekspertë në këtë shtet dhe institucioneve. në rastin konkret Enti i Statistikës është alfa dhe omega, atje punojnë njerëz që e dinë punën dhe janë më kompetentët.”,- theksoi deputetja e LSDM–së, Snezhana Kaleska Vançeva.
Propozim ligji për regjistrim të popullsisë dhe amvisërive do të mundësojë edhe regjistrimin online të personave që jetojnë dhe veprojnë jashtë shtetit. Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002 ndërkaq në vitin 2011 procesi I nisur i regjistrimit u ndërpre me vendim të Qeverisë.