Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi bisedë telefonike me Ministren për Fqinjësi Evropiane dhe Amerikë të Mbretërisë së Bashkuar, Uendi Morton, në të cilin shprehu kënaqësinë nga partneriteti afatgjatë me Mbretërinë e Bashkuar në 27 vitet e kaluara, për të cilën theksoi se reflekton përmes dialogut dinamik politik, zhvillimit të fuqishëm ekonomik dhe bashkëpunimit sektorial, kumtoi MPJ-ja.
“Është me të vërtetë fakt impozant që Mbretëria e Bashkuar për momentin paraqet partnerin e dytë tregtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe njërin prej investitorëve të huaj më të mëdhenj në vend”, tha Osmani, duke bërë me dije rëndësinë e Marrëveshjes së re për partneritet, tregti dhe bashkëpunim, i cili siguron tranzicion të pandërprerë në marrëdhëniet e përgjithshme ekonomike mes dy vendeve edhe pas daljes formale të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.
“Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje siguruam rrethane të parashikueshme për bizneset që kanë vendosur relacione ekonomike mes dy vendeve, si dhe kushte solide për zhvillim më të madh të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”, theksoi Osmani.
Në kuadër të bisedës u hap edhe tema për partneritet në kuadër të NATO-s. për të cilën bashkëbiseduesit u pajtuan se vazhdon me ritëm të pandalur. Osmani kujtoi se është e rëndësisë së veçantë mbështetja e fuqishme britanike që e merr Armata jonë në funksion të kontributit të përbashkët drejt stabilitetit rajonal dhe sigurisë globale.
Ministri u falënderua edhe për mbështetjen e marrë nga MB për presidencën me OSBE-në në vitin 2023, duke riafirmuar përpjekjet për promovimin e vendit tonë si partner stabil ndërkombëtar që i përkrah të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit, e kështu me radhë.
Ministrja Morton, veçoi se Maqedonia e Veriut arriti që gjatë periudhës së kaluar të ndërmerr vendime të guximshme dhe të arrijë rezultate të jashtëzakonshme, që rezultuan me zyrtarizimin e anëtarësimit në Aleancë. Ajo shprehi bindje se së shpejti do të kapërcehen edhe sfidat lidhur me çështjet bilaterale dhe do të miratohet Korniza negociuese për nisjen e bisedimeve për aderim në BE. Edhe pse Mbretëria e Bashkuar ka dalë nga Unioni, ajo mbetet përkrahëse e proceseve reformuese në Maqedoninë e Veriut.