Ka hyrë në fuqi në Maqedoninë e Veriut orari i ri për baret dhe restorantet, të cilat do të punojnë deri në orën 18:00. Një masë e tillë anti-covid, ka zemëruar tej mase sektorin e hotelerisë, i cili ka qenë ndër veprimtaritë e para që u mbyllën në fillim të pandemisë.
Kryetari i Odës së Pavarur të Sektorit të Hotelerisë, Zdravko Josifovski, thotë se këto masa të reja do të shkatërrojnë tërësisht sektorin dhe do të pushohen edhe më shumë të punësuar.
“Me shkurtimin e orarit të punës, pronarët më nuk do të kenë nevojë për numrin e njëjtë të të punësuarve, do të bëjnë ndonjë shkurtim të pagave apo të punëtorëve. Unë besoj se pronarët nuk duan që t’i lëshojnë punëtorët e tyre, por çështja është nëse punëtorët do të duan të punojnë në këto kushte. Është fakt se masa e re e qeverisë do të ndikojë edhe më shumë në uljen e të ardhurave të këtij sektori, dhe do të çojë këtë sektor drejt kolapsit. Prej ditës së hënë kur hynë në fuqi masat e reja do të shohim nëse do mund të punojnë fare baret e restorantet”, tha ai.
Të shqetësuar janë edhe muzikantët, të cilët nuk punojnë që nga fillimi i pandemisë. Ndërsa me kufizimin edhe të orarit të bareve dhe restoranteve, druajnë se nuk do të mund të mbijetojnë.
“Neve na kanë ndarë vetëm paga për dy muaj, të cilat ende s’i kemi marrë. Kjo është shumë pak për ne që jemi në shtëpi 11 muaj. Nuk jemi të kënaqur. Shteti është në humbje të mëdha, por edhe ne kemi humbje. Ne do jemi numri shtesë i mijëra të papunëve. Do prishet balanca e tregut pasi pronarët do marrin njerëz që mund t’i paguajnë më pak e jo që e bëjnë punën mirë”, tha Daniell Sidovski, përfaqësues i Sindikatës së Punonjësve Muzikorë.
Për një muaj punë të kufizuar, sektori i hotelerisë llogaritë që do ketë të paktën 18 milionë euro humbje./EuroNews