Numër i madh i bashkatdhetarëve këtë vikend u nisën drejt Kosovës, pasi kjo verë që iku nuk ua mundësoi ardhjen e tyre në vendlindje që të jenë pranë familjes.
Mërgimtarët zgjodhën mundësi të ndryshme udhëtimi për të arritur në Kosovë.
Por të gjithë ata që janë nisur me vetura apo autobusë edhe këtë herë u detyruan që për orë të tëra të presin në pika kufitare të shteteve të ndryshme deri në arritjen e destinacionit të tyre, Kosovës.
Por sonte situata e pritjes në pikat kufitare duket të jetë më e qetë.
Përmes video-incizimeve të cilat po shfaqen në Facebook shihet se pritjet janë më të pakta, e sigurisht edhe më pak të mundimshme për ta.
Orë më parë, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bashkë me ministrinë e Shëndetësisë bën të ditur se të gjithë qytetarët që vijnë nga diaspora, të cilët kanë vendosur që t’i kalojnë pushimet në Kosovë, nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen testit PCR.
“MPJD dhe MSH bëjnë me dije se asnjë qytetar i Kosovës që vjen në Kosovë, me apo pa PCR test, nuk i nënshtrohet kurrfarë karantine apo izolimi 14 ditorë”, u tha në njoftimin e dhënë për media nga këto ministri.
Duhet përkujtuar që arritja e mërgimtarëve ka ngjallur sado pak atmosferën festime, e padyshim diaspora vazhdon të jetë një nga motorët kryesore të ekonomisë në vend, por që kujdesi për mos-përhapje të virusit anti-COVID duhet vazhduar.
Madje nga zyrtarët shtetërorë është thënë se kujdesi duhet të jetë maksimal, në mënyrë që situate e krijuar nga koronavrusi në vend të mos jetë edhe më e vështirësuar.