Edhe pse ka shumë pasiguri në lidhje me përhapjen një varianti të ri të virusit në Britani, vendet po i ndalojnë udhëtimet nga Britania e Madhe.
Ngritja e alarmit për shpërthimin e një varianti më ngjitës të koronavirusit në Britani nxiti shqetësim dhe kaos udhëtimesh të hënën pasi më shumë se 30 kombe ndaluan udhëtarët nga ky vend, duke pezulluar fluturimet duke u krijuar kështu skena që të kujtonin ditët e para të pandemisë, shkruan New York Times.
Britania ishte e ndarë nga pjesa tjetër e Evropës të hënën, me fluturime dhe trena e mallra të ndaluara përkohësisht në portet franceze. Ndërprerjet ngjallën panikun e blerjes në supermarkete britanike, pasi britanikët, tashmë të tronditur nga një infeksion dhe një bllokim i imponuar në pjesën më të madhe të Anglisë, u shqetësuan për mbarimin e ushqimit të freskët në ditët para Krishtlindjeve.
Trazirat mbi mutacionin e virusit u rritën pasi Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson tha se ishte 70 për qind më ngjitëse sesa variantet e tjera. Por vlerësimi prej 70 për qind i transmetueshmërisë më të madhe bazohet vetëm në modelim dhe nuk është konfirmuar nga eksperimentet laboratorikë, tha Muge Cevik, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e St. Andrews në Skoci dhe një këshilltar shkencor i qeverisë britanike. Zyrtarët britanikë thanë se nuk kishte asnjë arsye për të besuar se varianti i ri shkaktoi sëmundje më të rëndë.
Por statistikat ngritën alarmin në të gjithë botën.
Franca vendosi një pezullim 48-orësh të transitit të mallrave përmes Kanalit Anglez, duke lënë mijëra shoferë kamionësh të bllokuar në automjetet e tyre të hënën ndërsa rrugët që çojnë në portet e Anglisë u kthyen në parkingje.
Austria, Belgjika, Bullgaria, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia dhe Holanda ishin mes kombeve që njoftuan për kufizimet në udhëtime. Pasagjerët ajrorë nga Mbretëria e Bashkuar që mbërrinin në Gjermani u ndaluan në aeroporte të dielën në mbrëmje, transmeton Express. Polonia tha se do të ndërpresë fluturimet midis dy vendeve duke filluar nga e hëna.
Hong Kong të hënën gjithashtu mbylli kufijtë e tij për udhëtarët nga Britania, duke thënë se të gjitha fluturimet e pasagjerëve nga vendi do të ndalohen duke filluar në mesnatë. Kanada, India, Irani dhe Rusia gjithashtu lëshuan kufizime të reja.
Izraeli gjithashtu po ndalon fluturimet për shumicën e shtetasve të huaj nga e mërkura pasdite dhe linjat ajrore lokale po vendosin fluturime shtesë për t’i kthyer izraelitët në shtëpi nga jashtë para se të fillojë rregullimi i ri i karantinës – izraelitët që kthehen nga kudo tjetër do të duhet të hyjnë në karantinë të veçantë për 10-14 ditë.
Arabia Saudite shkoi edhe më tej në përpjekjen për të ndaluar variantin, duke njoftuar për ndalim një javor për të gjitha udhëtimet ndërkombëtare.
Në Shtetet e Bashkuara, guvernatori Andrew M. Cuomo i Nju Jorkut i kërkoi qeverisë federale të ndërmarrë veprime, duke thënë se “tani, ky variant në Mbretërinë e Bashkuar po hip në një aeroplan dhe po fluturon”, ndërsa pranon gjithashtu se mund të të jetë shumë vonë
“Keni shumë vende që sapo kanë kufizuar fluturimet nga Britania e Madhe”, tha Cuomo në një konferencë shtypi të hënën.
“Dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë asgjë.” Ai paralajmëroi: “Nëse po fluturon nëpër botë, do të jetë këtu”.