Kosova nuk kufizon udhëtimet, gjatë kësaj jave do të realizohen 280 fluturime

Kosova pritet të përballet këtë javë me një fluks të lartë të vizitorëve nga diaspora, pavarësisht thirrjeve të vendeve evropiane për të mos udhëtuar për nevoja jo-thelbësore.

Marketing

Gjatë kësaj jave në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pritet të realizohet 280 fluturime – vajtje- ardhje, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Aeroporti i Prishtinës.

“Katër fluturime do të realizohen për Londër”, thuhet në përgjigje.

Udhëtimet nga Mbretëria e Bashkuara janë ndërprerë në shumicën e vendeve evropiane dhe më gjerë, për shkak të përhapjes së një varianti të ri të koronavirusit.

Zyrtarët britanikë kanë thënë se ai ishte 70 për qind më i transmetueshëm se lloji kryesor i koronavirusit.

Por, Kosova nuk i ka ndërprerë fluturimet me këtë vend. Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, tha në një konference për media të hënën se vendimet për shtetet veç e veç do të merren krahas vlerësimeve që do të bëjë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike por edhe rekomandimeve të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Samedin Mehmeti, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, tha të hënën se gjatë vikendit, në vend kanë hyrë deri në 20 mijë qytetarë në ditë, nga pikat kufitare dhe aeroporti i Prishtinës.

Ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka konfirmuar se gjatë vikendit janë realizuar 148 fluturime vajtje- ardhje. Nga ky numër 87 fluturime të shtunën dhe 61 të dielën.

Në Kosovë të hënën janë regjistruar edhe 6 të vdekur nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), Naser Ramadani, tha në një konferencë për media se rastet e vdekjes janë nga: Prishtina 3 raste, Gjilan 1 rast, Mitrovicë 2 dhe Prizren 1 rast.

Sipas raportit ditor të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga testimi i 990 mostrave janë shënuar si të infektuar me koronavirus edhe 264 persona.

Aktualisht raste aktive janë 11.134, ndërsa nga sëmundja janë shëruar 205 pacientë.

Që nga mesi i muajit mars në Kosovë janë regjistruar 49.169 të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 1.262 kanë vdekur ndërsa 36.773 janë shëruar.