Kaos në Britani, mijëra kamionë në radhë pasi Franca bllokoi udhëtimet

Mutacioni i ri i koronavirusit i zbuluar në Britani ka shkaktuar jo vetëm panik, por edhe kaos në vend. Shumë vende kanë pezulluar udhëtimet me Britaninë.

Marketing

Ndërkohë, autostrada pranë qytetit Kent ka kaluar natën e dytë të kaosit. Mediat raportojnë se deri në 1,500 kamionë ishin të rreshtuar në autostradë, pasi Franca ndaloi udhëtimin nga Mbretëria e Bashkuar.

Bisedime emergjente janë duke vazhduar këtë mëngjes në përpjekje për t’i dhënë fund bllokimit, me Emmanuel Macronin. që pritet të njoftojë planin e tij për t’i dhënë fund ndalimit të udhëtimeve. Kjo vjen pasi Boris Johnsoni mbrëmë i bëri thirrje personale presidentit francez për një zgjidhje të mundshme.

Pritet një marrëveshje midis Britanisë dhe Francës që t’i jepet fund bllokimit, duke aplikuar testimin në kufi. Ndërkohë, shoferët e kamionëve që presin ta kalojnë kufirin kanë frikë se mos humbasin Krishtlindjet me familjet e tyre.

Një shofer francez kamioni i bllokuar aktualisht në portin Dover tha: “Ne nuk dinim asgjë, nuk e dimë nëse mund të shkojmë në shtëpi për të parë familjet tona për Krishtlindje”. Nga ana tjetër, autoriteti i autostradave u ka kërkuar transportuesve që të mos drejtohen në kufi.