Ministria e Shëndetësisë në raportimin e saj të fundit, ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në vendin tonë janë shënuar 9 viktima nga Covid 19. Ajo që vihet re në njoftimin zyrtar, është humbja e jetës nga një person 38-vjeçar, ndonëse nuk jepen më shumë detaje.
“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk kanë arritur të fitojnë betejën me sëmundjen 9 qytetar me Sars-Cov2 pozitiv në spitalet COVID: 5 qytetar nga Tirana, 1 qytetar nga Lezha, 1 qytetare nga Përmeti, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Gjirokastra të moshave 38-86 vjeç”, njofton ministria.
Ndërkohë infektimet kanë shënuar ulje 375 persona, krahasuar me një ditë më parë ku ishin 553 raste të reja. Ministria bën me dije se edhe situata në spitale është e qëndrueshme.
“Numri i të shtruarve në spitale vijon të jetë i qëndrueshëm. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 324 pacientë, 33 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar”, thuhet në njoftim.