U bënë pesë vite e gjysmë që kur më 9 dhe 10 maj të 2015tës në Lagjen e Trimave në Kumanovë shpërtheu një konflikt i armatosur mes ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe pjesëtarëve të policisë të Maqedonisë së Veriut.
Atëherë të vdekur mbetën tetë pjesëtarë të policisë së RMV-së si dhe dhjetë persona nga grupi i armatosur, shkruan Zhurnal.
Pas 2 ditëve luftime me armë, pjesëtarët e UÇK-së u dorëzuan dhe dolën të paarmatosur në rrugë. Ato u arrestuan dhe pas disa seancave gjyqësore, ato u dënuan me gjithsej 746 vite burg.
Për veprën terrorizëm u akuzuan gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 u dënuan me burg të përjetshëm. Të dënuarit me burg të përjetshëm janë Andi Krasniqi, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.
Trembëdhjetë prej tyre u dënuan me nga 40 vite burg: Esat KAfegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genti Sefaj, Enver Hoxha Klajn, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Reçica.
Gjashtë prej të akuzuarve u dënuan me nga 20 vite burg: Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdija, Lendrit Rustemaj, Mirsad Qerimi dhe Qenan Hiseini.
Të tjerët u dënuan me nga 18 vite burg e më poshtë: Ragmi Latifi me 18 vite burg, Irfan Lutfiu me 14 vjet, Arsim Bajrami me 13, Musa Pajaziti me 12, Seadudin Abdullahu me 14, Elham Arifi me 13 dhe Ebib Alimi me 12 vjet.
Shumica e tyre janë shtetas të Kosovës, të cilët llogariten si organizatorë të ngjarjes në Kumanovë.
Së fundmi në rrjetet sociale u publikua një informacion nga njëri prej të burgosurve. I burgosuri Fadil Reçica kumtoi se ka gjasa që lënda e tyre të rikthehet në rigjykim.
Për këtë, Agjencia e lajmeve Zhurnal mori në prononcim njërin prej avokatëve që mbronë këtë lëndë, Ibraim Bajrami.
Ai për Zhurnal shprehet se duke filluar nga viti i ardhshëm, Këshilli Evropian përmes OSBE-së pritet të formojë një ekip i cili do të punojë në rreth 50 lëndë të ndryshme në Maqedoni të Veriut, e të cilat do t’i shqyrtojë për mënyrën si janë shqiptuar dënimet dhe mënyrën si janë udhëhequr gjykimet.
Kështu, avokati Bajrami ka shpresë që edhe lënda “Lagja e Trimave” të gjendet në mesin e 50 lëndëve të OSBE-së për rishqyrtim. Nëse ndodhë kjo, atëherë me shumë mundësi lënda mund të rikthehet në rigjykim dhe sipas tij, të burgosurit do të mund të mbrohen në liri.
“Çështja është në ankesë në Gjykatën Supreme. Flitet që do të krijohet një mandat i OSBE-së – Këshillit të Evropës, të bëjnë një mbikqyrje pak më specifike të lëndëve në gjyqësorin tonë. Do të shqyrtohen deri në 50 lëndë brenda vitit. Ende nuk dihet mandati i OSBE-së cili do të jetë dhe si do të jetë shtrirja e mandatit të OSBE-së për lëndën e Lagjes së Trimave, për këtë nuk kemi informacion.
Nuk dihet me saktësi nëse kjo lëndë do jetë pjesë e OSBE-së por do të ishte e mirëseardhur në qoftëse lënda rikthehet në rigjykim. Pasojat juridike do të jenë që të burgosurit të mund të mbrohen në liri. Unë si mbrojtës kam bindjen që ato do të paraqiten në të gjitha seancat gjyqësore. Jam përsëri i bindjes që nga pozicioni i mbrojtjes në liri do të jenë shumë më të rehatshëm në kuptimin e ripërsëritjes së procedurës të shpalosjes të çështjeve që deri tani nuk janë shpalosë. Mandati i OSBE-së pritet të fillojë nga fillimi i vitit 2021”, ka deklaruar avokati Bajrami për Zhurnal.