Më në fund, Brexiti bëhet realitet

Katër vjet e gjysmë pas referendumit britanik rreth anëtarësisë në Bashkimin Evropian, Brexit më në fund u bë realitet, kur Britania e Madhe braktisi tregun e përbashkët në sekondat e parë të vitit 2021.

Marketing

Asnjëherë më parë, vendet anëtare të BE-së nuk kishin marrë nismë të tillë për dalje nga blloku i BE-së.

Negociatat zgjatën me vite, derisa më në fund, në “minutën e fundit”, një marrëveshje tregtare me vlerë 900 miliardë dollarë u arrit në prag të Krishtlindjes. Marrëveshja është nënshkruar vetëm disa ditë para se Britania të dilte nga një prej blloqeve më të mëdha tregtare në botë, duke shënuar kthesën më të rëndësishme globale që nga rënia e Perandorisë Britanike.

Marrëveshja përcakton që Britania do të ruajë qasjen në tregun e BE-së me 450 milionë konsumatorë pa tarifa dhe kuota, por kjo nuk do të kalojë pa pasoja ekonomike, kanë paralajmëruar ekspertët e ekonomisë, përcjell BBC-ja.Liria e lëvizjes sa i përket banimit dhe punës nuk është përfshirë në marrëveshje, e për udhëtimet afatshkurtra në përgjithësi nuk do të kërkohet vizë nga asnjëra palë: BE – Britani.

Mallrat do të kontrollohen shumë më tepër në kufijtë britanikë dhe të BE-së.Sa i përket sektorit të shërbimeve, i cili përbën më shumë se 80% të ekonomisë britanike, palët janë zotuar të “krijojnë një klimë të favorshme për zhvillimin e tregtisë dhe investimeve”.

Britania nuk do të marrë pjesë në organizatat e sigurisë dhe bazat e të dhënave si Europol, Eurojust dhe SIS-II.Sidoqoftë, të dhënat e ADN-së, gjurmët e gishtërinjve dhe të dhënat e regjistrimit të automjeteve do të vazhdojnë të shkëmbehen mes palëve.