Kryeministri, Edi Rama i shoqëruar nga ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj ka dorëzuar këtë të martë dy banesa të reja të rindërtuara për familjet e prekura nga tërmeti në Maminas të Shijakut.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj gjatë vizitës i është përgjigjur akuzave të opozitës se shumë familje e kaluan vitin e ri nëpër çadra. Ahmetaj tha se numri i familjeve në çadra po vjen duke u ulur teksa konfirmon se deri më tani janë 1 mijë e 58. Sipas ministrit të rindërtimit deri në maj nuk do të ketë asnjë qytetar në çadër.
“Marr shkas nga disa postime të opozitës për ata që janë në çadër, numri i tyre vjen duke u ulur, sot ka zbritur në 1058 dhe me mbarimin e gjithë numrit në Shijak do të zbresim nën një mijë dhe deri në maj nuk do të ketë më qytetarë në çadër. Ata që kanë qenë në çadër, që kanë bërë zgjedhjen e tyre, afër tokës, të gjithë kanë marrë bonusin e qirasë” tha ai.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana deklaroi se “vetëm në njësinë administrative Maminas janë ndërtuar 120 banesa individuale”. “Siç patëm premtuar brenda 15 janarit do t’i dorëzojmë të gjitha banesat individuale”.
Gjatë vizitës nuk kanë munguar batutat e kryeministrit Rama, i cili në momentin që e zonja e shtëpisë i qerasi, tha:“Jo faleminderit, unë po bëj një gëzuar me këtë, jepja këtij (Ahmetajt) se është i hidhur, unë jam i ëmbël vetë”